Zyrtarë të lartë të Kosovës e kanë pritur me nderime të larta e ushtarake zëvendësndihmëssekretarin amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n, David Baker. Pas pritjes që i bëri në presidencë, presidentja Vjosa Osmani, e kualifikoi mbështetjen amerikane si jetike për sigurinë e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në NATO. E në takimin që zyrtari amerikan e pati me komandantin e KFOR-it, u prek edhe tema e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n, David Baker, është pritur të shtunën nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë.

Nderimet më të mëdha i janë bërë në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty i është shtruar çilimi i kuq, ndërsa roje nderi ka bërë Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Baker është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Institucioni më i lartë shtetërorë ka bërë të ditur se me zyrtarin amerikan, Osmani diskutoi për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

“Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin Osmani-Baker. “Në këtë kuadër, Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve, në këtë synim për anëtarësim është jetike”.

Në njoftim është thënë se presidentja Osmani ka potencuar se prania ushtarake amerikane në Kosovë u shërben drejtpërdrejt interesave strategjike të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe se bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes paraqet një mundësi të re për investime të përbashkëta, në dobi të të dyja vendeve.

Është diskutuar edhe bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake. Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë, duke theksuar se Kosova ka potencial në fushën e prodhimit ushtarak me mbështetjen e SHBA-së dhe kompanive të ndryshme amerikane që mund të jenë të interesuara në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës. “Presidentja Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”.

Në mbrëmje, zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n është pritur edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një darkë pune.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, për Politika Evropiane dhe për NATO-n, është takuar edhe me Komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Enrico Barduani.