Mesfushori kosovar, Hekuran Kryeziu ka pësuar lëndim të rëndë me Zurichun në ndeshjen ndaj Luganos fundjavën që shkoi.
Futbollisti është detyruar ta lë fushën dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se 26 vjeçari i ka dëmtuar ligamentet e kryqëzuara në gjurin e tij të majtë dhe me këtë rast i nevojitet ndërhyrja kirurgjike.
Kështu ka njoftuar Zurichu përmes faqes të zyrtare në Facebook.
“Kryeziu pritet të mungojë nga 6 deri në 9 muaj. I urojmë Hekit shërim të shpejtë dhe rikthim në fushë”, ka shkruar klubi zviceran në rrjetet sociale.
Kryeziu ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Përfaqësueses së Kosovës viteve të fundit dhe mungesa e tij do të jetë e madhe në dy ndeshjet e qershorit, me Malin e Zi dhe Bullgarinë, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2020.
Mirëpo, me gjasë ai do t’i humbë krejt kualifikimet e Evropianit, të cilat përfundojnë në muajin nëntor.
Kryeziu mungoi edhe në miqësoren me Danimarkën në muajin mars, ndërsa u paraqit ndaj Bullgarisë tri ditë më pas në eliminatore të Euro 2020.
Tash trajneri Bernard Challandes duhet të mendojë për zëvendësuesin e Kryeziut për duelet e qershorit.







