Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur të shënojë ngritje përsëri në ranglistën e FIFA-s për ekipet kombëtare. Tani, “Dardanët” radhiten tri pozita më lart, në vendin e 127-të.

Sot, FIFA e publikoi ranglistën e re për renditjen e ekipeve kombëtare, pas ndeshjeve të marsit. Edhe këtë herë, Kosova ka arritur që të ngrihet më lart në këtë renditje, duke e shënuar pozitën më të lart ndonjëherë.

Para dy ndeshjeve që i zhvilloi në mars, Kosova u radhit në pozitën e 130-të, ndërsa tani radhitet në vendin e 127-të, me 11 pikë më shumë.

Në anën tjetër ekipi kombëtar i Shqipërisë ka lëvizur një pozitë më poshtë në ranglistën e FIFA-s dhe tani radhitet në pozitën e 62-të.

Shqipëria tani i ka katër pikë më pak se në ranglistën e kaluar dhe radhitet një vend më poshtë.

Para dy ndeshjeve të zhvilluara gjatë muajit mars, Shqipëria kishte qenë në pozitën e 61-të me 1372 pikë, ndërsa tani kuq e zinjtë radhiten në pozitën e 62-të, me 1368 pikë.

Ndeshjet e marsit, ekipi kombëtar i Shqipërisë i filloi me disfatë me rezultat 0-2 ndaj Turqisë. Kjo ishte ndeshja e parë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020. Pas kësaj disfate, trajneri Christian Panucci e humbi vendin e tij të punës.

Ndeshja e radhës ishte një fitore bindëse për Shqipërinë, me rezultat 0-3 ndaj Andorrës. Megjithatë, ajo nuk mjaftoi që Shqipëria ta ruajë pozitën e saj në ranglistën e FIFA-s apo ta përmirësojë atë.