Kosova ende pa ligj i cili përcakton çmimet e barnave

Kosova nuk ka ligj i cili përcakton çmimet e barnave. Nga Oda e Farmacistëve të Kosovës për Radio Kosovën kanë thënë se barnat në vend shiten për 10 milionë euro në vit më shtrenjtë sesa në vendet e rajonit.

Ndërkaq për dy dekada, në Kosovë nuk ka çmim të unifikuar të barnave. Në fuqi ka qenë një rregullore administrative, e cila nuk ka paraparë unifikimin e çmimit.

Qytetarët e Kosovës paguajnë rreth 10 milionë euro në vit barna më shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit. Kështu thonë nga Oda e Farmacistëve. Kjo ndodh për shkak se në vend nuk ka unifikim të çmimit të barnave.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, në një bisedë për Radio Kosovën, tha se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që ta funksionalizojë dhe ta vë në zbatim sa më parë çështjen e rregullimit të çmimit të barnave, derisa shtoi se është hasur në mirëkuptim dhe janë duke pritur lëvizje pozitive nga ministri aktual i Shëndetësisë.

‘’Fatkeqësisht ende vazhdon pagesa e çmimeve të bëhet pa ndonjë rregullativë dhe pa udhëzimin për çmime të unifikuara të barnave. Shqetësimi i të gjithë farmacistëve që e kanë shfaqur në odën e farmacistëve, është pikërisht për mos zbatimin e udhëzimit të aprovuar për çmimet e barnave’’, tha Jakupi’’.

Ai thotë se kanë marrë premtime që shumë shpejt do të fillojë të punojë një grup punues i cili do të përgatisë ligjin për çmimin e barnave në Kosovë. Ndërkohë shton se sa do të marrë kohë kjo çështje, ende nuk dihet.