Kosova e rekordeve brenda 24 orëve – rekord rastesh e vaksinimesh

E enjtja e 19 gushtit ka regjistruar dy rekorde lidhur me COVID-19. Janë regjistruar rekord rastesh e janë kryer rekord vaksinimesh. 2236 persona kanë rezultuar pozitivë, ndërsa janë kryer 22 mijë e 213 vaksinime.

Që nga fillimi i pandemisë vitin e shkuar e deri më tash, e enjtja ishte dita më e rëndë për rastet e reja. Krahas 2236 rasteve pozitiven nga testimi i mbi 11 mijë mostrave, të enjten e kanë humbur betejën me COVID-19 tetë persona. Me këto vdekje, ka shkuar në 2303 numri i të vdekurve nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

Deri tash në vend janë regjistruar 123 mijë e 98 raste pozitive. Nga ta, 86 për qind (106,546) janë shëruar. Janë edhe 14 mijë e 249 raste aktive.

Image

Në anën tjetër, në vend sot janë kryer 22 mijë e 213. Kjo paraqet ditën më efikase të vaksinimit, duke rrëzuar rekordin që e vuri e mërkura me 22 mijë e 119 vaksinime.

Nga 667 mijë vaksinat e administruara, gati 228 mijë është numri i qytetarëve që i kanë marrë të dy dozat. Ndërkaq afro 212 mijë është numri i qytetarëve që kanë marrë vetëm nga një dozë.

Qytetarët po kanë probleme të caktojnë terminë për shkak të kërkesave të shumta, ndërsa pas shtimit alarmant të rasteve ditëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që edhe e shtuna të shfrytëzohet si ditë për vaksinime.

Image