Kosova e pranon: Në veri nuk po përfillet vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministri i Arsimit në Kosovë, Ramë Likaj, ka thënë se shteti është i informuar që komunat veriore kanë nisur mësimin edhe pse autoritetet vendore kanë vendosur që një gjë e tillë të mos bëhet deri më 14 shtator.

Teksa komunat në veri të Kosovës kanë nisur mësimin nga distanca me vendim të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, Likaj ka thënë se vendimet e autoriteteve të Kosovës “vlejnë për të gjithë qytetarët e Kosovës njëjtë”.

Gjatë vizitës në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Likaj ka thënë se para disa ditësh ka qenë në pjesën veriore të Kosovës dhe se në ditët në vazhdim do të vazhdojë vizitat.

Bashkë me ministrin Likaj, në vizitën në këtë shkollë ishte edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, që ka thënë se beson që mësimi do të nisë në datën e caktuar.

Në fund të muajit gusht, Ministria e Arsimit vendosi që të shtyjë fillimin e vitit të ri shkollor për datën 14 shtator.