Kosova e madhe mposht Maltën, mbetet lider i grupit me 7 pikë (VIDEO)

Kosova ka shënuar fitore të madhe në ndeshjen e tretë të Ligës së Kombëve kundër Maltës me rezultat 3-1.

Ndeshja e zhvilluar në “Fadil Vokrri” solli futboll të jashtëzakonshëm nga kosovarët, të cilët pjesën e parë e përmbyllën me rezultat 1-0 me golin e Benjamin Kolollit në minutën e 30-të.

Në pjesën e dytë, pas një harkimi nga këndi, Malta arriti të barazojë shifrat në 1-1, ndodhi kjo në minutën e 50-të, shkruan ballkani.info.

Mirëpo, ishte Vedat Muriqi, i cili në minutën e 68-të i dha eprësinë Kosovës, ndërkaq Kololli me golin e dytë personal dhe të tretin për Kosovën arriti ta përmbyllë ndeshjen me rezultat të përgjithshëm 3-1.

Me këtë fitore, Kosova renditet e para në Grupin e 3-të të Ligës D të Ligës së Kombeve me 7 pikë nga tri ndeshje.

Në vendin e dytë është Azerbajxhani me 5 pikë, pasi që sonte mposhti Ishujt Faroe si mysafir me rezultat 3-0. /Ballkani.info/