15.9 përqind

Kosova e katërta në Evropë dhe Azi në pranimin e remitencave (parave nga diaspora)

E Me 15.9 përqind, Kosova është ekonomia e katërt në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore, për nga përqindja e pjesëmarrjes së remitencave në BVP-në për vitin 2018.

Kjo është bërë e ditur në raportin më të ri të Bankës Botërore Migrimi dhe Zhvillimi, që analizon trendet globale të migrimit dhe remitencave.

Vetëm në Kirgizstan, Taxhikistan dhe Moldavi pjesëmarrja e remitencave në BPV është më e lartë se në Kosovë.

Ndërkaq vendi që projektohet të pranojë më së shumti remitenca në këtë rajon në vitin 2018 është Ukraina, me 16.5 miliardë dollarë.

Raporti analizon edhe koston për të dërguar remitenca dhe ka gjetur se në këtë rajon vendet prej nga është më së shtrenjti të dërgohen remitenca janë Zvicra dhe Turqia. Mesatarja e kostos për dërgim të remitencës prej 200 dollarëve brenda rajonit Evropë dhe Azi Qendrore është 6.6 përqind.

Në përgjithësi, raporti ka gjetur se remitencat në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë rritur shpejtë dhe pritet të arrijnë nivel rekord në vitin 2018 ($528 miliardë).

Raporti i plotë