Kosova e fiton edhe duelin e dytë kualifikues

Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave, ka fituar edhe në duelin e dytë.

Hendbollistet e drejtuara nga përzgjedhësi Agron Shabani, mposhtën ato të Luksemburgut me rezultatin 33:27.

Në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, Skuadra “Dardane” dha paraqitje tejet të mirë në pjesën e parë, pavarësisht mungesave të shumta.

Kosova që nga fillimi ishte në epërsi, pavarësisht se i pati vetëm 10-të hendbolliste në dispozicion, prej tyre tri portiere. Në pjesëlojën e parë që përfundoi 16:9 në të mirë të Kosovës, luajtën vetëm shtatë lojtare. Te “Dardanet” pati telashe me lëndime dhe me koronavirus.

Në pjesën e dytë, skuadra e Kosovës e administroi mirë lojën në fillim, por Luksemburgu u rikthye në lojë.

Arriti që të afrohet në vetëm dy gola në fundin e ndeshjes, 27:25.

Sidoqoftë, të udhëhequrat e selektorit Shabani nuk lejuan befasi dhe arritën që të marrin edhe fitoren e dytë në Grupin A.

Pashke Marku u shpall lojtarja më e mirë në ndeshje dhe ishte më e dalluara me 10-të gola të shënuara. Nga tetë gola realizuan Albina Rugova-Tahirukaj dhe Suzana Ujkiq, pesë i pati Marigona Hajdari, ndërsa me nga një gol në fitore kontribuuan Aida Stagova dhe Alma Nivokazi.

Te Luksemburgu u paraqit Dea Dautaj që në këtë duel shënoi dy gola. Por më e mira nga bashkëlojtaret e saj ishte Tina Welter me shtatë gola në total.

Ndeshjen e tretë dhe të fundit në fazën e parë kualifikuese për “Euro 2022”, Kosova e zhvillon të shtunën kundër Portugalisë. Edhe ky duel zhvillohet në Prishtinë.

Vetëm fituesi i grupit kalon tutje. Kosova dhe Portugalia kanë nga dy fitore në dy ndeshjet e para.

Portugalia në duelin e dytë fitoi ndaj Qipros me rezultatin 32:17.