Kosova e 46-ta në Evropë me teste për COVID-19, e 17-ta me raste aktive!

Ekonomisti Erton Bega ka publikuar një statistikë krahasuese të 50 vendeve evropjane duke nxjerrë pozicionin e Kosovës në luftimin e pandemisë së Coronavirusit!

Sipas këtij studimi, Kosova është e 46-ta në Evropë me 462 teste për 100 mijë banorë sipas të dhënave të bazuara nga Worldometers.info. Më keq se Kosova qëndrojnë vetëm Ukraina, Shqipëria dhe Gjeorgjia. Më së shumti teste ka kryer Ishujt Faroe duke testuar 16.5% të popullatës.

Kosova renditet e 10-ta në Evropë për përhapje të infeksionit me 47,4 raste për 100 mijë banorë, duke lënë mbrapa të gjitha vendet e rajonit përveç Shqipërisë që ka 28 të infektuar për 100 mijë banorë.

Sipas të njejtim krahasim, Andorra prin për numrin e shërimeve në 100 mijë banorë. Kosova renditet e 31-ta në Evropë për nga shërimet. Në krahasim me 6 vendet e Ballkanit perëndimor, Kosova qëndron më mirë se Shqipëria dhe Serbia në numrin e të shëruarve duke qëndruar mbrapa Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnie & Hercegovinës.

Sa i përket nivelit të vdekshmërisë, Kosova renditet e 15-ta me 1,4 vdekje për 100 mijë banorë. Shtetet me më pak vdekje se Kosova janë Ishujt Faroe dhe Gibraltari me 0 vdekje, Gjeorgjia (0,2 vdekje për 100 mijë banorë), Azerbejgjani (0,2), Slovakia (0,5), Ukraina (0,7), Letonia (0,8), Malta (0,9), Rusia (0,9), Bellorusia (1,0), Bulgaria (1,1), Shqipëria (1.1), Bellorusia (1,1), Mali i Zi (1,3) dhe Greqia (1,4).

Kosova ndodhet e 17-ta në Evropë me më shumë raste aktive për 100 mijë banorë (25 raste për 100K). Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova qëndron më keq se Shqipëria (8), Mali i Zi (11), dhe Maqedonia e Veriut (21) por më mirë Bosnie e Hercegovinës (30) dhe Serbisë (89).