Kosova dhe Serbia ta përcaktojnë vet paqen e tyre

Serbia dhe Kosova kanë biseduar për një marrëveshje të madhe në mënyrë që të zbusin konfliktet e vazhdueshme etnike. Kritikët ishin të shpejt që të peshojnë këtë çështje.

Disa argumentojnë se rreziqet, janë thjesht shumë thelbësore për komunitetin ndërkombëtar që të merr në konsideratë “idenë e rregullimeve kufitare”, ose shkëmbimeve territoriale duke përfshirë territoret e populluara me serbë në veri të Kosovës dhe ato të populluara me shqiptarë në jug të Serbisë, ide kjo që është duke u shtyrë me ngulm nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi.

Kritikët, si thelb të argumenteve të tyre vendosin mundësinë e përhapjes së kësaj ideje në gjithë Ballkanin.

Nëse Beogradi dhe Prishtina shkëmbejnë territoret, kjo do thoshte për kroatët dhe serbët në Bosnjë që edhe ata, gjithashtu, mund të gjejnë një mënyrë për t’u ndarë dhe për t’u bashkuar me njerëzit e tyre në Kroaci dhe Serbi, duke e ndarë Bosnjën në këtë proces. Shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi do të kërkonin të njëjtën gjë.

Por, a nuk janë këto argumentet e njëjta që u bënë apo mund të ishin bërë në vitin 2008 kur Kosova njëanshëm shpalli pavarësinë nga Serbia dhe u njoh menjëherë nga Shtetet e Bashkuara si një vend i veçantë?

Kosova përbëhet nga 95 për qind e popullatës shqiptare. Shkëputja nga Serbia ishte një ndarje etnike dhe një rregullim i kufijve në një shkallë masive.

Dhjetë vjet më parë, shumica e mbikëqyrësve të situatës, në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, erdhën në përfundim se e vetmja zgjidhje praktike për çështjen e Kosovës, e cila ishte nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s që nga viti 1999, ishte dhënia e territorit të plotë dhe shtetësia. Derisa kroatët dhe serbët nuk u lejuan të shkëputeshin gjatë luftës së përgjakshme të Jugosllavisë në vitet 1990-ta, komuniteti ndërkombëtar me të drejtë pohonte se kufijtë e Bosnjës dhe Kroacisë nuk mund të ndryshoheshin, ndërkaq parimi i njëjtë nuk u zbatua në Serbi në lidhje me Kosovën.

U tha se Kosova ishte unike. Ajo që e bën interesante është se shumë nga ata që aktualisht janë kundër kësaj marrëveshjeje kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës, mbështetën argumentin sui generis në vitin 2008 dhe arsyetuan se nuk do të ketë pasoja deklarimi i pavarësisë në Prishtinë.

Kroatët dhe serbët në Bosnjë do të qëndronin bashkë, sepse u tha se Kosova nuk ishte precedent. Shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi iu tha e njëjta gjë. Ishte shpallur me zë të lartë se shkëputja e Kosovës nga Serbia nuk mund të përdoret si një model nga minoritetet në Ballkan apo kudo tjetër .

Dhe çfarë ndodhi? Absolutisht asgjë. Me përjashtim të disa retorikave të ndezura dhe të pa konstruktuara, serbët dhe kroatët në Bosnjë në të vërtetë mbetën bashkë, ashtu si shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi.

Në fakt, të gjitha argumentet që u bënë në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës një dekadë më parë, mund të bëhen sot në favor të shkëmbimeve të tokës midis Serbisë dhe Kosovës.

Një shkëmbim paqësor dhe i përbashkët midis territoreve midis Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për ata që duan të shohin stabilitet në Ballkan. Një marrëveshje e tillë do të duhej të përfshinte disa veçori për të bindur skeptikët.

Së pari, ajo duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë një shkëmbim mes përfaqësuesve. Së dyti, marrëveshja duhet t’i japë Prishtinës të drejtën për të aplikuar dhe për t’u bashkuar me institucionet ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara.Së treti, Beogradi duhet t’u tregojë qartë serbëve në Bosnjë se mënyra e vetme për të’i larguar kufijtë që i ndajnë ata, është kur të dyja vendet të jenë në BE.

Një deklaratë e tillë do të duhej të bëhej në formë të shkruar dhe të ratifikohet në parlamentin e Serbisë. Shqipëria dhe Kosova duhet të kishin të njëjtin obligim sa i përket shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi.

Së fundi, BE-ja duhet të jetë e vendosur dhe e bindur në angazhimin e saj për t’i pranuar si anëtare shtetet e reja të Ballkanit Perëndimor, sapo këto vende t’i kanë plotësuar të kriteret e nevojshme të pranimit.

Përveç largimit të perspektivës së konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve, kjo marrëveshje e shkëmbimit të territoreve të pjesës veriore të Kosovës për pjesët jugore të Serbisë, do t’ia heq levën kryesore Rusisë mbi Serbinë dhe që Ballkani të shpëtojë nga ndikimi i poshtër rus.

Tani për tani, Kremlini përdor Kosovën për ta shantazhuar Serbinë. Beogradi nuk mund të dalë kundër Moskës në asnjë mënyrë, sepse do të pasonin kërcënimet ruse për heqjen e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe do të lejojë që Kosova të bashkohet me Kombet e Bashkuara, përpara se Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje mes vete.

Nëse Serbia dhe Kosova mund të bëjnë marrëveshjen e tyre, kjo levë do të zhduket dhe pozicioni i Rusisë do të dobësohet në përputhje me rrethanat.

Moska pastaj, mund të provojë të bëjë presion në koncesione, ndoshta duke kërkuar garanci nga Serbia se kurrë nuk do të bashkohet me NATO-n, por ka të ngjarë që kostoja e tillë do jetë më e kushtueshme sesa përfitimet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, me kufij krejtësisht të konsoliduar dhe një rrugë të qartë drejt BE-së.

Si Vuçiqi ashtu edhe Thaçi duhet të vlerësohen për trimërinë e tyre. Të dy liderët po shkojnë kundër strukturës politike nxitëse në Serbi dhe Kosovë.

Për secilin prej tyre, lëvizja më e lehtë dhe më logjike është asnjë lëvizje.

Megjithatë, ata kanë zgjedhur të mbyllin sytë përkohësisht dhe të shmangin ligjet e politikës ballkanike. Ky bashkim i udhëheqjes së mirëfilltë në Serbi dhe Kosovë nuk ka të ngjarë që do të rimëkëmbet për dekada apo ndoshta më gjatë. Le t’i japim Serbisë dhe Kosovës mundësinë për të arritur dhe për të përcaktuar vetë paqen e tyre.

(Botuar në The Washington Post, përkthyer nga klankosova.tv)

Daniel P. Vajdich është anëtar i lartë jorezident në Këshillin Atlantik dhe ish-staf udhëheqës për Europën dhe Euroazinë në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.