Kosova dhe Serbia si ‘vende të sigurta’ për njerëzit që ndiqen penalisht

Në Kosovë dhe në Serbi ka mjaft persona, të cilët janë strehuar për t’iu shmangur ndjekjeve penale ose dënimeve për vepra penale, të cilat i kanë kryer ne vendet përkatëse, thonë Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Bojana Pavlloviq nga Rrjeti për hulumtim të kriminalitetit dhe korrupsionit në Serbi – KRIK.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, por ajo nuk ka evidenca të personave që janë në Kosovë dhe që i janë shmangur ndjekjes penale apo vuajtjes së dënimit në shtetet ku i kanë kryer veprat penale.

Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra tjetrën dhe për rrjedhojë, sipas tyre, mungon edhe bashkëpunimi i ndërsjellë gjyqësor dhe personat që ndiqen penalisht, ose për vuajtje të dënimit për vepra penale në Kosovë, strehohen në Serbi dhe anasjelltas.

MD: Personat që fshihen në Kosovë dhe nga Kosova

Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës, në një përgjigje me shkrim në pyetjen se a ka në Kosovë persona te ndjekur penalisht nga vendet e tjera dhe te cilët janë fshehur ose strehuar në Kosovë, për t’i ikur ligjit në vendet përkatëse, ka thënë se “ka mjaft të tillë”.

“Po, ka shumë të tillë, madje për vepra të rënda penale, por numrin e saktë të tyre Ministria e Drejtësisë nuk e posedon. Sidoqoftë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka statistika dhe informacion për këtë çështje si dhe identitetin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Poashtu kjo ministri ka konfirmuar se ka edhe mjaft persona të Kosovës, të cilët i janë shmangur ndjekjes penale dhe vuajtjes së dënimit për veprat penale në vend dhe që janë strehuar në shtete të ndryshme të botës.

“Po ka raste të tilla, por Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk e din vendndodhjen e tyre, pasi që nëse ka informata të sigurta për vendin ku gjenden, të njëjtat ja transmeton prokurorit ose gjyqtarit të çështjes dhe e njofton për mënyrën e procedimit me rastin. Sidoqoftë, për zbulimin e vendit ku qëndrojnë, është kompetente Policia e Kosovës, pasi kjo është çështje operacionale”, ka thënë Ministria e Drejtësisë.

Miftaraj: Qytetarë të Kosovë fshihen në Serbi dhe në vende të tjera

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë që qytetarë të shteteve të huaja, të cilët nuk kanë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ose që nuk hezitojnë të kenë bashkëpunim juridik ndërkombëtar me Kosovën, e përdorin këtë fakt që të shfrytëzojnë Kosovën, si parajsë për t’i ikur apo për t’i bishtnuar qoftë procedurave gjyqësore, qoftë vuajtjes së dënimit në shtet ku janë të dënuara.

Në këtë kontekst, sipas tij, Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe siç thotë ai, Serbia ka hezituar në vazhdimësi për të ngritur nivelin e bashkëpunimit gjyqësor ndërmjet dy shteteve, për t’i realizuar dhe ekzekutuar kërkesat që kanë të bëjnë me bashkëpunim gjyqësor në çështjet penale, qoftë për të ekstraduar persona që kërkohen në Kosovë, e të cilët fshihen në Serbi. Kjo sipas tij ndodhë edhe anasjelltas.

“Kemi raste kur qytetarë të Kosovës fshihen në Serbi, por edhe shfrytëzojnë shtete, me të cilat Kosova nuk ka kurrfarë bashkëpunimi dhe jo rrallë herë, mund të themi që shfrytëzohet apo përdoret edhe vet Spanja, ku e kemi të paktën një qytetar të Republikës së Kosovës, i cili ka kryer vrasje në Kosovë dhe i njëjti ka ikur në Spanjë dhe kjo e fundit nuk e ka njohur apo nuk e ka ekzekutuar kërkesën për arrestim të përkohshëm apo edhe për ekstradim. Ky ka qenë rasti i bashkëshortit të Diana Kastratit (Adnan Jashari), i cili fillimisht ka ikur për në Spanjë dhe ajo nuk ka ofruar bashkëpunim me autoritetet në Kosovë”, tha Miftaraj.