Kosova dhe Serbia me draft marrëveshje për personat e zhdukur

Kosova dhe Serbia kanë arritur një draft marrëveshje në Bruksel që do ndihmojë në gjetjen e personave të zhdukur. Por, ky draft do të funksionalizohet në rast të arritjes së marrëveshjes finale, duke përfshirë tri shtylla bazë.

E para ka të bëjë me krijimin e një komisioni të përbashkët të udhëhequr nga BE-ja, qe do jetë përgjegjës për zbardhjen e personave të pagjetur, e dyta pritet të jete hapja e arkivave shtetërore dhe e treta është zbardhja e të gjitha personave të zhdukur në afat kohor prej 18 muajsh, pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Këto deklarime janë bërë publike në takimin e së hënës të Komisonit qeveritar për persona të zhdukur, derisa kryetari i delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë rreth personave të zhdukur, Ibrahim Makolli, ka thënë se çështja e të zhdukurve është diskutuar nga takimi i parë në Bruksel

“Në takimin e parë janë vënë parimet bazë për çështjen e të zhdukurve. Tri shtyllat bazë të kësaj marrëveshje. Krijimi i një komisioni të përbashkët, mekanizëm që do të jetë përgjegjës për zbardhjen e personave të zhdukur, dhe qasjen e pakufizuar në arkivat që mundësojnë zbardhjen e personave të zhdukur. Kjo e ka një afat kohor nga hyrja në fuqi, parashihet që i gjithë procesi të përfundojë brenda 18 muajve nëse arrihet marrëveshja finale”, ka thënë ai.