Kosova dhe sanksionet ndaj Rusisë, në tavolinën e Berlinit

Përfaqësues të opozitës dhe analistët politikë ne Beograd vlerësojnë se takimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Berlin, nuk do të sjellin ndryshime thelbësore në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Tatjana Manojlloviq, nënkryetare e Partisë Demokratike (DS), ka deklaruar se nuk dihet se çka do të negociohet, ndërsa nuk pret që një takim mund të ndryshojë situatën.

“Mendoj se asgjë spektakolare nuk do të ndodh. Mirëpo, do të ishte mirë dhe në frymën e vlerave demokratike, të cilat presidenti Vuçiq i mbron në mënyrë deklarative, të dimë se për çfarë ka negociuar, por ne jemi dëshmitarë se kur ai ka negociuar, ajo ka sjell diçka të keqe për Serbinë”, tha Manojlloviq për RTK-në.

Presidenti Vuçiq fillimisht do të bisedojë me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Më pas, sipas njoftimeve, Përfaqësuesi Special te BE për dialog Mirosllav Lajçak do të zhvillojë një takim të veçantë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. Ndonëse shihet si një gjë e mirë që liderët e Serbisë dhe Kosovës takohen kur ka tensione, rezultatet nuk shihen pasi palët mbesin me qëndrimet e tyre.

Sipas vlerësimeve, në Serbi nuk pritet të intensifikohet dialogu Beograd-Prishtinë, pasi Serbia është ende në proces të formimit të qeverisë, e cila, sipas të gjitha gjasave, do të vonohet.

Nenad Shebek, gazetar nga Beogradi, thekson se ka kohë që nuk ka asnjë rezultat pozitiv në dialog ndërsa beson se është e mundur një hap përpara në çështjen e targave ose çështje të tjera të vogla. Ai nuk pret që ndonjë problem thelbësor të zgjidhet.

“Së pari është mirë që dy liderët takohen. Mirë, prej vitesh nuk kemi parë një ndryshim në dialog. A do të çojë në diçka ky takim tani në Berlin, bisedimet me kancelarin Scholz, me Mirosllav Lajçak, të them të drejtën dyshoj se do të çojë në diçka konkrete”, tha Shebek.

Përveç Kosovës, pritet qe ne Berlin të diskutohet edhe rajoni dhe harmonizimi i politikës së jashtme të Serbisë me BE-në lidhur me luftën në Ukrainë.

Sipas Manojlloviqit, Vuçiq po përballet me kërkesat e perëndimit ne lidhje me politiken e tij “dy karrige”.

“Partnerët tanë perëndimorë janë bërë të padurueshëm dhe duan një përgjigje vendimtare nga Vuçiq se për cilin opsion politik është ai në të vërtetë. Deri më tani ai ishte deklarativisht për rrugën evropiane”, tha ajo, duke shtuar se nga mediat pro-qeveritare vijnë mesazhet krejtësisht kontradiktore.

“Mendoj se diplomacia perëndimore nuk ka më durim për të, dhe do të kërkonte një përgjigje të qartë”, nënvizoi Manojlloviq.

Sipas Shebek, Serbia ka tre pika presioni. Përveç çështjes së Kosovës është edhe Bosnjë dhe Hercegovina, konkretisht kërkesë që të mos përkrahet Millorad Dodik, dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë të deklarohet për të paktën në një nga këto tri çështje kyçe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Shebek.

“Deri më tani Vuçiq ka dalë ta bëjë me mjaft mjeshtëri zvarritje, por do të vijë një moment kur ai do të duhet të rreshtohet në njërën anë”, thekson ai.