Kosova dhe BE kanë ndërtuar partneritet të qëndrueshëm ndër vite!

Partneriteti i Kosovës dhe Bashkimit Evropian, është plotësuar dhe forcuar ndër vite, duke u shndërruar në një bashkëpunim konkret dhe afatgjatë. Ndihma direkte financiare, grantet, kreditë e buta dhe këmbimet tregtare kanë shënuar rritje të vazhdueshme ndër vite, duke e dëshmuar faktin që Kosova mbetet një nga prioritet e BE-së.

Instrumenti i Para-Anëtarësimit 1 dhe 2 (IPA 1&2) që nga viti 2007 i ka dhënë Kosovës mbi 1 miliard e 200 milionë euro (IPA 1 rreth 671 milionë euro dhe IPA 2 542 milionë euro), para këto që për destinim kanë pasur Konsolidimin e institucioneve të Kosovës, sistemit të Drejtësisë dhe Administratës, Fuqizimin e Demokracisë, Qeverisjes, Ambientit, Energjisë, Zhvillimit Rural, Edukimit, Punësimit, Politikat Sociale dhe sektorë të tjerë. Ky program, cilësohet si një nga instrumentet më të rëndësishme për vendin, duke ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe duke përmirësuar dukshëm mënyrën e qeverisjes në vend.

IPA 1 dhe 2 nuk janë programet e vetme të BE-së nga të cilat Kosova ka fituar shumë.

Një tjetër nismë e rëndësishme që e ka përfshirë vendin është edhe bashkëpunimi ndër-kufitarë (Cross border cooperation), nga e cila Kosova ka fituar rreth 30 milionë euro, të cilat janë destinuar për Rehabilitimin dhe ndërtimin e pikave kufitare që lidhin Kosovën me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë. Rreth 8.4 milionë euro janë dhënë nga BE për rehabilitimin e pikës kufitare me Malin e Zi dhe po aq para janë investuar për pikën kufitare që lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Falë këtij programi të inicuar nga BE, tani Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë 3 pika kufitare, rehabilitimi i të cilave ka kushtuar 8.4 milionë euro (pika kufitare në Gllobocicë është ndërtuar nga fillimi). Po në kuadër të kësaj nisme është financuar edhe ndërtimi i pikës kufitare në Merdare, e cila kap vlerën e investimit prej 4.6 milionë euro.

Kjo ndihmë ka mundësuar që Kosova të rritë këmbimet tregtare, ekonomike, politike sociale dhe kulturore me këto vende dhe ka mundësuar gjithashtu shkurtimin e kohës së pritjes dhe udhëtimit për disa orë.

Procesi i Berlinit i inicuar nga Gjermania është një tjetër nismë nga e cila Kosova ka përfituar shumë. BE ka ndarë më shumë se 145 milionë euro për projekte të rindërtimit të linjave hekurudhore, telekomunikacionit, linjave rrugore, dhe zhvillimit të gjelbërt duke përfshirë energjinë e ripërtritshme – projekte këto që forcojnë pozicionin e Kosovës në Ballkanin Perëndimor dhe lidhjen mes këtyre vendeve me Evropën.

Më shumë se 400 studentë nga Kosova tashmë kanë përfunduar studimet e tyre Master në Universitetet më prestigjioze të Bashkimit Evropian, kjo falë programit Young Cells që BE e ka dhënë për Kosovën. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe 200 studentë të tjerë, të cilët kanë fituar bursa studimi në Kosovë dhe Gjermani nga programi i bursave i fondacionit Konrad Adenauer Stiftung (KAS Kosova).

Viti 2020 ishte sfidues për gjithë botën, pas përballjes me Covid – 19. Kosova nuk ishte e vetme në këtë përballje. Bashkimi Evropian ndau për vendin mbi 5 milionë euro donacion dhe qindra paisje medicionale. BE gjithashtu i ka dhënë Kosovës 50 milionë euro me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike si dhe 100 milionë euro në formë kredie makro-financiare, 50 milionë euro nga të cilat BE tashmë i ka derdhur në buxhetin e shtetit të Kosovës.

Këto të dhëna dhe partneriteti i vazhdueshëm ndër vite kanë bërë që Bashkimi Evropian të jetë partneri kryesor tregtar i Kosovës. Rreth 33% të eksportit të përgjithshëm të Kosovës bëhet me vendet e BE-së, dhe poashtu rreth 41% të importit të përgjithshëm vjen nga vendet e BE-së.

Këto të dhëna direkte financiare tregojnë me së miri se Kosova vazhdon të mbetet një nga prioritetet e BE-së!