Kosova bëri tridhjetë e një shkelje ligjore për llogari të autokratit Erdogan

Thuajse asnjë ligj nuk ka mbetur pa u shkelur nga Kosova, gjatë procedurave për depërtimin e shtetasve turq një vit më parë. Plotë 31 shkelje janë kryer për llogari të të presidentit autokrat të Turqisë, Rexhep Taip Erdoganit. Me këto veprime, Republika e Kosovës ka dërguar drejtë burgimit dhe torturave në mënyrë jodemokratike dhe me shkelje ligjore. Udhëheqës i këtij operacioni famëkeq, del të jetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Plotë 31 shkelje kushtetuese, ligjore e rregullore ka bërë shteti i Kosovës me rastin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq.

Me këto veprime, Republika e Kosovës ka dërguar drejtë burgimit dhe torturave Qeverisë autokrate të Rexhep Taip Erdoganit.

Këto shkelje të zbuluara nga Komisioni Hetimor Parlamentar kanë zbuluar se shteti i Kosovës, ka shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante, duke mos respektuar asnjë ligj vendor e ndërkombëtarë.

Lista e shkeljeve ka alarmuar të hënën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, të cilat kanë kërkuar përgjegjësi dhe hetim për zbatuesit e urdhrave.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar për 31 shkeljet ligjore të cilat, sipas Komisionit hetimor parlamentar, i ka bërë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar.

“Kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij”, thuhet në komunikatën e lëshuar të hënën.

Sipas Ambasadës amerikane, janë shqetësuese shkeljet e ligjore të gjetura nga komisioni hetimor për ndriçimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

“Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik” thuhet tutje në komunikatë.

Në këtë komunikatë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë bëhet thirrje që të gjithë shkelësit e ligjit të japin përgjegjësi.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”, thuhet tutje aty.

Sipas Ambasadës, rasti e deportimit të gjashtë shtetasve turq nuk ka të bëjë me fajësi ose pafajësi por me shkelje të proceseve ligjore nga politikanët e Kosovës.

“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, theksohet aty.

Insajderi, ka siguruar listën e shkeljeve që kanë bërë Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

(1) Duke zbatuar me automatizëm kërkesën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (“AKI”) për revokimin e lejeqëndrimeve të shtetasve turq, pa shqyrtuar nëse informacionet e ofruara prej AKI-së plotësonin kriteret ligjore për të qenit “kërcënim ndaj sigurisë kombëtare”, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim (“DShAM”), në kuadër të Ministrise së Punëve të Brendshme, ka shkelur nenin 5 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative (shih Ekspertizën, f. 25–29).

(2) Dëbimi i z. Hasan Huseiyn Gunakan, pa kurrfarë urdhri të ligjshëm, paraqet shkelje të nenit 55, par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; nenit 1, par. 1 të Protokollit Nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (shih Ekspertizën, f. 29–31).

(3) Fakti që nuk është kërkuar zyrtarisht kthimi i z. Gunakan në Republikën e Kosovës pas dëbimit të tij të gabuar, përbën shkelje të nenit 25, par. 1 dhe 2 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 29–31).

(4) Duke marrë pjesë në operacionin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, i cili nuk e kishte për qëllim mbledhjen e informacioneve, zyrtarët e AKI-së kanë tejkaluar fushëveprimin ligjor të AKI-së të përcaktuar me nenin 2, par. 1 të Ligjit Nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (shih Ekspertizën, f. 31–33).

(5) Mungesa e një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe AKIsë, që trajton posaçërisht koordinimin e operacioneve të përbashkëta, paraqet shkelje të nenit 8, par. 2 të Ligjit për AKI, si dhe shkakton pasiguri juridike dhe mbrojtje jo të mjaftueshme të të drejtave të njeriut (shih Ekspertizën, f. 33–34).

(6) Drejtoria për Migrim dhe të Huaj (“DMH”), në kuadër të Policisë së Kosovës, ka nxjerrë urdhra për largim me forcë të gjashtë shtetasve turq, pa plotësuar asnjërin prej kushteve të përcaktuara me nenin 97, par. 1 të Ligjit Nr. 04/L-219 për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 34–37).

(7) Urdhrat për largim me forcë u nxorën në bazë të nenit 6 dhe nenit 99, par. 2 të Ligjit për të Huajt, edhe pse asnjëra prej këtyre dispozitave, sipas ligjit, nuk mund të shërbejë si bazë për nxjerrjen e këtij lloj urdhri (shih Ekspertizën, f. 34–37).

(8) Forma e urdhrave për largim me forcë nuk përputhej me kërkesat e nenit 97, par. 8 të Ligjit për të Huajt, i cili përcakton se: “Të huajit i komunikohet në formë të shkruar, në njërën nga gjuhët zyrtare dhe në gjuhën angleze, . . . duke i shpjeguar . . . vendin ku [urdhri] do të ekzekutohet [dhe] mënyrën e transportimit të tij për në vendin e destinacionit” (shih Ekspertizën, f. 34–37).

(9) Disa zyrtarë policorë nuk kanë informuar shtetasit turq për të drejtat e tyre për mbrojtje ligjore dhe për të kontaktuar anëtar të familjes. Ky mosnjoftim paraqet shkelje të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, neni 13, par. 1; dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 29, par. 2 dhe 3 (shih Ekspertizën, f. 37–39).

(10) Disa zyrtarë të tjerë policorë nuk morën masa të duhura për t’i informuar shtetasit turq lidhur me të drejtat e tyre në gjuhën turke, edhe pse këta zyrtarë kishin vërejtur vetë se disa prej shtetasve turq nuk e kuptonin gjuhën shqipe. Kjo paraqet shkelje të nenit 13, par. 1 të Kodit të Procedurës Penale; dhe nenit 29, par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (shih Ekspertizën, f. 37–39).

(11) Gjashtë shtetasve turq nuk iu ofrua këshillim dhe përfaqësim juridik, gjë që paraqet shkelje të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës, neni 12, par. 6 (shih Ekspertizën, f. 37– 39).

(12) DShAM-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e saj për të siguruar fletudhëtime për shtetasit turq që nuk posedonin dokumente të udhëtimit. Kjo paraqet shkelje të nenit 8, par. 1 dhe 3 të Ligjit për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(13) Divizioni për Ripranim dhe Kthim (“DRK”), në kuadër të DShAM-së, duke mosu angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e tij për të vërtetuar identitetin e shtetasve turq që nuk posedonin dokumente të identifikimit. Kjo paraqet shkelje të nenit 30 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(14) DRK-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimin e tij për të organizuar transportin për gjashtë shtetasit turq. Kjo paraqet shkelje të nenit 32 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(15) DShAM-ja, duke mos u angazhuar në operacionin e dëbimit, nuk ka kryer obligimet e saj të përcaktuara me nenin 37 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës, duke përfshirë koordinimin e eskortës së sigurisë, dhënien e ndihmës personale për kthim dhe sigurimin e shoqërimit mjekësor (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(16) Për shkak të mosangazhimit të DRK-së, nuk është marrë parasysh dëshira e z. Mustafa Erdem, i cili posedon nënshtetësi të Shqipërisë, për t’u kthyer në shtetin ku dëshironte. Kjo paraqet shkelje të nenit 17, par. 6 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2014 për Kthimin e të Huajve me Qëndrim të Paligjshëm në Republikën e Kosovës (shih Ekspertizën, f. 39–41).

(17) Duke mos futur të dhënat e gjashtë shtetasve turq në Sistemin e Menaxhimit Kufitar për hyrje dhe dalje, zyrtarët policorë kanë vepruar në kundërshtim me Procedurën Standarde të Operimit për Sistemin e Menaxhimit Kufitar (DOK-05/001/2017, 25 qershor 2017) (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(18) Duke mos kontrolluar dokumentet e udhëtimit të gjashtë shtetasve turq, zyrtarëtpolicorë kanë shkelur nenin 15, par. 2 të Ligjit Nr. 04/L-072 për Kontrollin e Kufirit Shtetëror (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(19) Zyrtarët policorë vendosën që të lehtësohej kontrollimi kufitar në rastin e gjashtë shtetasve turq, edhe pse nuk plotësoheshin kushtet ligjore për lehtësim të tillë, të përcaktuara me nenin 16, par. 1 dhe 2 të Ligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(20) Duke vendosur vulën katrore në urdhrat për largim me forcë, të cilët nuk përbënin as dokumente identifikimi as dokumente udhëtimi, zyrtarët policorë kanë shkelur nenin 17, par. 1 të Ligjit për Kontrollin e Kufirit Shtetëror (shih Ekspertizën, f. 41–44).

(21) Dëbimi i gjashtë shtetasve turq në një vend ku kishte rrezik real që ata do t’i nënshtroheshin torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare zakonore; nenit 3, par. 1 të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese; dhe nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (shih Ekspertizën, f. 44–48).

(22) Duke i paraqitur Ministrisë së Infrastrukturës të dhëna të rrejshme lidhur me numrin e pasagjerëve dhe qellimin e fluturimit, kompania ajrore Birlesik Insaat ka shkelur Rregulloren (MI) Nr. 02/2015 për Aprovimin e Fluturimeve Charter dhe Taxi JoHPEA, neni 10, par. 1 (shih Ekspertizën, f. 50–53).

(23) Bashkëpunimi joefikas ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë Kufitare, ka rezultuar në mosndjekjen e procedurave ligjore për ndëshkimin e kësaj kompanie ajrore. Këto procedura janë të përcaktuara me nenin 97, par. 2 të Ligjit 03/L-051 për Aviacionin Civil (shih Ekspertizën, f. 50–53).

(24) Duke mos nxjerrë vendim përfundimtar lidhur me aplikimin e z. Osman Karakaya për vazhdimin e lejeqëndrimit, DShAM-ja ka shkelur nenin 44, par. 1 të Ligjit për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 53–58).

(25) Mosnxjerrja e vendimit përfundimtar në rastin e z. Karakaya gjithashtu e ka privuar atë nga e drejta e ankimimit, e garantuar me nenin 6, par. 3 të Ligjit për të Huajt (shih Ekspertizën, f. 53–58).

(26) Duke mos marrë masat e duhura, deri në ditën e dëbimit, për të njoftuar shtetasit turq lidhur me revokimin e lejeqëndrimeve të tyre, DShAM-ja e ka bërë të pamundur që ata të kontestonin këto revokime. Kjo paraqet shkelje të nenit 108, par. 3 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (shih Ekspertizën, f. 53–58).

(27) Duke përzier elemente të urdhrit për largim me forcë dhe urdhrit të dëbimit, DMH-ja ka kufizuar maksimalisht mundësinë e gjashtë shtetasve turq për të ushtruar të drejtën e tyre të ankimimit. Kjo përzierje e dy urdhrave të ndryshëm nuk parashikohet askund në Ligjin për të Huajt, apo në ndonjë akt tjetër normativ, dhe, rrjedhimisht, ka qenë e kundërligjshme (shih Ekspertizën, f. 58–60).

(28) Duke qenë se të gjithë prej gjashtë shtetasve turq jetonin në Republikën e Kosovës me anëtarë të ngushtë të familjes, dëbimi i tyre përpara ushtrimit të së drejtës së ankimimit, paraqet shkelje të së drejtës për respektimin e jetës familjare, sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 36, par. 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lexuar bashkë me nenin 13 të Konventës dhe nenin 32 të Kushtetutës (shih Ekspertizën, f. 61–63).

(29) Gjashtë shtetasit turq u dëbuan përpara ushtrimit të së drejtës së ankimimit, edhe pse nuk ekzistonin arsye të forta të sigurisë kombëtare për t’i dëbuar përpara ushtrimit të kësaj të drejte, si dhe nuk ekzistonte ndonjë domosdoshmëri tjetër për një masë të tillë. Kjo paraqet shkelje të nenit 13 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike; dhe nenit 55, par. 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (shih Ekspertizën, f. 63–65).

(30) Fakti që shtetasit turq nuk u informuan lidhur me bazat faktike mbi të cilat u ishin revokuar lejeqëndrimet, ka penguar ushtrimin e së drejtës së ankimimit në muajt pas dëbimit të tyre, duke paraqitur shkelje të nenit 13 të Konventës Evropiane per të Drejtat e Njeriut; dhe nenit 1, par. 1 të Protokollit Nr. 7 të Konventës (shih Ekspertizën, f. 65–69).

(31) Duke mos informuar Prokurorinë e Shtetit lidhur me dyshimin që gjashtë shtetasit turq po kryenin apo kishin kryer vepër penale, AKI-ja ka shkelur nenin 25, par. 2 të Ligjit për AKI (shih Ekspertizën, f. 72–73).

Rrjedha e ngjarjes

Hapat procedural të cilët janë ndjekur me rastin e depërtimit të (6) gjashtë shtetasve turq:

Me 12 dhe 19 Mars, një zyrtar nga AKI shkon në DSHAM – MBP;

Me 12 deri me 19 Mars, komunikim zyrtar/email në mes të Drejtorit të DSHAM-së dhe ish-Udhëheqësit të Divizionit për të Huaj dhe zyrtarit për të huaj në kuadër të Divizionit për të Huaj ne MPB;

Me 19 Mars, zyrtari i AKI-së njofton zyrtarisht zyrtaret e DSHAM-së se AKI mbante në vëzhgim shtetasit turq;

Me 22 Mars, ish-Drejtori i AKI-së kërkon nga ish-Ministri i Punëve të Brendshme revokimin e leje qëndrimeve të pesë shtetasve turq;

Me 23 Mars, Divizioni për të Huaj në kuadër të DSHAM-MPB nxjerr pesë vendime për revokimin e leje qëndrimeve për shtetasit turq;

Më 27 Mars, kompania ajrore Birlesik Insaat prej Turqisë kishte kërkuar leje për fluturim taxi tek Ministria e Infrastrukturës;

Më 27 Mars, Kompania në fjalë kërkoi leje për një fluturim me qëllim biznesor, me një pasagjerë në ardhje dhe një pasagjerë në shkuarje;

Më 28 Mars, kompania ajrore dërgoi një kërkesë tjetër, duke ndryshuar datën për në 29 Mars, si dhe qëllimin e fluturimit;

Me 28 Mars, Departamenti i Aviacionit Civil, nxori vendim për aprovimin e fluturimit;

Me 28 Mars, ish-Drejtori i AKI-së i drejtohet ish-Ministrit të Punëve të Brendshme duke kërkuar refuzimin e leje qëndrimit për shtetasin e 6 turk;

Me 28 Mars, takim në mes të Udhëheqësit të Departamentit të Kufirit, Udhëheqësit të DSHAM-së, Drejtorit të DMH-së dhe dy zyrtareve të AKI-së;

Me 29 Mars, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj – Policia e Kosovës nxjerr 6 urdhra për largim me forcë;

Me 29 Mars, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj – Policia e Kosovës dhe përfaqësuesve të AKI-së, takim në nivel drejtuesish në lidhur me operacionin e depërtimit të shtetasve turq;

Me 29 Mars, 2018 grupi i parë i policisë në orën:

07:00 bëhet shpërndarja e ekipeve policore në teren të ndarë në gjashtë ekipe, në dy lokacione të ndryshme (në lagjen “Marigona” në Lipjan dhe në qytetin e Gjakovës);

08:00 ndalohen Jusuf Karabina dhe Mustafa Erdem dërgohen në DMH;

09:07 ndalohet Osman Karakaya dhe dërgohet në DMH;

Me 29 Mars 2018 grupi i dytë i policisë në orën:

08:00 ndalon Kahraman Demirez, Cihan Ozkan dhe Hasan Husein Gynakan dhe dërgohen në DMH;

Me 29 Mars, në orën 09:00 personat e ndaluar dërgohen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”;

Me 29 Mars, në orën 09:27 veturat me personat e ndaluar arrijnë ne Aeroport dhe qëndrojnë përkohësisht në zonën VIP;

Me 29 Mars, në orën 09:50 fillon kontrollimi i dokumentacioneve të shtetasve turq;

Me 29 Mars, në orën 10:09 përfundon kontrolli i shtetasve turq. Në këtë kohë prezent ishin shefi i njësisë së emigracionit, zyrtaret e DMH-së dhe Drejtori dhe zyrtaret nga AKI;

Me 29 Mars, në orën 10:25 fillon transportimi i shtetasve turq nga policia e Kosovës deri aeroplani i autoriteteve turke;

Me 29 Mars, në orën 10:42 përfundon dorëzimi i gjashtë shtetasve turq;

Me 29 Mars, në orën 10:50 aeroplani niset Turqi;

Me 31 Mars, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj kërkon fillimin e hetimeve nga Kryeprokurori i Shtetit, Policia E Kosovës, AKI, MPB, IPK, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror;

Me 04 Prill, 2018 Prokuroria e Shtetit autorizon IPK-në të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me rastin;

Me 04 Prill, 2018 Prokuroria e Shtetit autorizon Policin e Kosovës – Departamentin Special Anti-korrupsion të ndërmarr veprime hetimore lidhur me rastin;

Me 28 Qershor, 2018 Kuvendi i Republikës së Kosovës themelon Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të (6) gjashtë shtetasve turq.