Kosova aplikon këtë javë për anëtarësim në BE, opozita skeptike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se këtë javë do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai është i bindur në sukseset në këtë proces por entuziazmin e shefit të Qeverisë nuk e kanë partitë opozitare.

Atë që e kishte premtuar një vit më parë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po pret që gjatë kësaj jave ta bëjë realitet.

Bëhet fjalë për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti, njoftimin e dha para ministrave të kabinetit të tij.

“Para një viti kemi bërë të ditur se aplikimin për anëtarësim do ta bëjmë këtë vit dhe sot në këtë mbledhje po ju njoftojmë se aplikimin në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë. Bashkimi Evropian është vend i paqes dhe vendi ynë natyrisht se e ka vendin në këtë shtëpi”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Entuziazmin për aplikim sikurse shefi i qeverisë, nuk e kanë edhe partitë opozitare.

Anëtaret e Komisionit parlamentar për Integrim Evropian,  janë skeptike për procesin në përgjithësi e veçanërisht mosnjohjen nga 5 vende anëtare të BE-së.

“Deri më tash ne s’kemi pa asnjë strategji të qeverisë për këtë, kemi pesë vende që ende nuk e njohin Kosovën dhe s’kemi progres me to. Nuk po kanë transparencë për këto procese, sikurse për dialogun as për këtë s’po kemi informacione. Ne kemi aplikuar dhe në Këshill të Evropës por deri tash ai dokument ka mbetur në fijoket e Këshillit Evropian”, tha Rrezarta Krasniqi, nga LDK.

“Ne e kemi parë edhe për procesin e  Liberalizimit të Vizave,  ata nuk kanë pasur strategji dhe ende nuk kemi një strategji për këtë,  po ashtu kemi parë që politika e jashtme ka pasur skandale të njëpasnjëshme edhe ministria e Punëve të Jashtme,  është karakterizuar me skandale të njëpasnjëshme”, ka deklaruar Time Kadrija, nga radhët e AAK-së.

Televizioni publik ka publikuar dokumentin zyrtar të Qeverisë, sipas të cilit aplikimi dorëzohet me 15 dhjetor.