Kosnett te Thaçi: Qeveria e re të formohet në pajtim me Kushtetutën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci është takuar sot me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media të nisur nga presidenca.

Në njoftim thuhet se Thaci ka diskutuar me Kosnett lidhur me përpjekjet e vazhdueshme  të institucioneve të Kosovës për ta luftuar virusin COVID-19.

 Presidenti Thaçi tha se seanca e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur të mërkurën më 25 mars, që në agjendë kishte Mocionin e Mosbesimit për Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar edhe njëherë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Thaçi dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që procedurat e mëtutjeshme për formimin e një qeverie të re duhen bazuar plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur rolin vital të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces.

I pari i shtëtit ka thënë se Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet.