Kosnett: S’ka asgjë burrërore për të sulmuar gratë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se s’ka asgjë burrërore për të sulmuar gratë.

Kosnett, këtë koment e bëri në Twitter, në kuadër të 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj gruas.

“Nuk ka asgjë burrërore për të sulmuar gratë. Dhënia fund e dhunës ndaj grave është përgjegjësi e të gjithëve. Bashkë mund të mbrojmë nënat, motrat, gratë dhe vajzat tona”, ka shkruar ambasadori amerikan.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, sot në Prishtinë organizata UN Women ka hapur fushatën “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, e cila u shoqërua me ndriçimin e Bibliotekës Kombëtare Publike “Pjetër Bogdani” në ngjyrë portokalli.

“16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore” është një fushatë ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor. Çdo vit ndërtesat ikonike në të gjithë botën ndriçohen në ngjyrë portokalli për të ngritur vëmendjen globale ndaj kërcënimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Në këtë ceremoni morën pjesë zyrtarë të profilit të lartë nga institucione dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare.