Kosnett godet skeptikët: Takimi në Uashington nuk u bë për foto dhe qëllime të brendshme politike

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka goditur disa zyrtarë të partive opozitare që janë treguar skeptikë dhe kanë kritikuar takimin e Uashingtonit të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.

Kosnett po thotë se takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington nuk u mbajt vetëm për të realizuar një foto ose për qëllime të brendshme politike, por ajo u bë për të mirën e dy vendeve.

Ambasadori amerikan deklaroi se vetëm pak kohë pas nënshkrimit të marrëveshjes, një delegacion shumë i lartë nga SHBA në krye me Richard Grenellin, erdhi në Kosovë dhe Serbi për të treguar se janë serioz dhe po vijnë për zhvillimi ekonomik të dy vendeve.

“Brenda minutave pasi nisi takimi në Shtëpinë e Bardhë, kishte njerëz që thoshin se ‘amerikanët duan vetëm një fotografi në Shtëpi të Bardhë për qëllime të brendshme politike dhe nuk do të shohim një vazhdimësi për këtë, administrata do ta harrojë gjithë këtë’. Dhe pastaj, brenda shumë pak kohe, e patë një delegacion shumë të lartë të udhëhequr nga kolegu im, ambasadori Grenell, dhe kreu i Korporatës për Financim të Zhvillimin dhe që përfshinte shumë agjenci të tjera të SHBA-së”, tha Kosnett,

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, kishte deklaruar se Trump po dëshiron marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë vetëm për t’i shërbyer në zgjedhjet presidenciale që po mbahen tani. Po ashtu Kurti kishte akuzuar palën kosovare se po dëshirojnë të nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme për Kosovën vetëm ta realizojnë një foto me presidentin amerikan, Donald Trump.