Raporti i KE-së

Korrupsioni e zvarritja e procedurave gjyqësore kryetemë në Raportin e Progresit, theksohet nevoja për adresimin e tyre

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023, ku ndër gjetjet kryesore për Sistemin e Drejtësinë thekson se Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor funksional.

Sipas këtij raporti, Kosova ka bërë përparim të kufizuar në harmonizimin e legjislacionit kosovar me atë të BE-së.

Por shqetësuese mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, sundimi i ligjit, çështja e kryeprokurorit të shtetit, dhuna në familje dhe pagat e gjyqtarëve e prokurorëve.

Avokati Ardian Bajraktari e vlerëson në “mes të dobët” dhe “mjaftueshëm” këtë raport, të cilin ai e cilëson si një matës apo skaner i gjendjes në sistemin e drejtësisë nga ana e Bashkimit Evropian, në drejtim të kryerjes së detyrave të shtëpisë në proceset eurointegruese.

Sipas Bajraktarit, fusha e zbatimit të legjislacionit është ajo që ka më shumë ngecje, andaj siç thotë ai, organet ligj-zbatuese duhet të jenë më proaktive, në drejtim të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

“Raportin e progresit, si një matës apo skaner i gjendjes në sistemin e drejtësisë nga ana e Bashkimit Evropian, në drejtim të kryerjes së detyrave të shtëpisë në proceset eurointegruese, nëse i referohemi vlerësimit me terma shkollorë, do të thoja në mes të “dobët” dhe “mjaftueshëm”. Kjo dëshmon se ka shumë punë për të bërë, dhe siç e kemi thënë e stërthënë, fusha e zbatimit të legjislacionit është ajo që ka më shumë ngecje, andaj organet ligjzbatuese duhet të jenë më proaktive, në drejtim të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të tyre. Madje, është për keqardhje se në disa fusha, siç është ajo e reformave në administratë publike, është vlerësuar si regres”, ka thënë Bajraktari.

Ai ka thënë se duhet të rritet efikasitet i punës së gjyqësorit duke theksuar se ka tentativa nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, e cila po shqyrton mundësinë e adresimit të kësaj problematike, por sipas tij, ndonjëherë ritmi nuk është i duhuri.

“Raporti i progresit vetëm e ka konstatuar atë që e kemi thënë e stërthënë se zgjatja e procedurave gjyqësore, veçmas të atyre civile, është shqetësuese, ndonëse për këtë çështje, ka tentativa nga ana e Ministrisë së Drejtësisë e cila po shqyrton mundësinë e adresimit të kësaj problematike, por se ndonjëherë ritmi nuk është i duhuri. Po ashtu, duhet rritur efikasiteti i punës së gjyqësorit, për faktin se vendi ynë, nuk qëndron keq me statistika sa i përket gjyqtarëve në raport me numrin e banorëve, sipas të cilave kemi 24.4 gjyqtarë për 100.000 banorë”, ka vijuar ai.

Në rekomandimet e tij drejtuar qeverisë e institucioneve drejtësisë, Bajraktari thotë se komunikimi të zhvillohet brenda parametrave dhe standardeve normale deri tek adresimi i sfidave dhe gjetja e zgjidhjeve.

Ai thekson se duhet të ndërmerren nisma ligjore, të ketë rritje të kapaciteteve në sistemin e drejtësisë dhe në përgjithësi.

“Politikat dhe nismat ligjore, të bëhen me konsultim më të mirë, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent. Krahas ndërmarrjes së nismave ligjore, rritja e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë, në përgjithësi, e me theks të veçantë në gjykata është veprim i duhur, kjo nënkupton që ekzekutivi dhe legjislativi t’i realizojnë kërkesat, veçmas ato buxhetore në raport me gjyqësorin”, ka theksuar Bajraktari.

Në anën tjetër, avokatja Saranda Beqiri thotë se ndonëse ky raport ka evidentuar mjaft probleme në kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore, në anën tjetër janë evidentuar edhe disa ndryshime kruciale.

Ajo shpreson që në të ardhmen sistemi i drejtësisë të arrijë nivelet e dëshirueshme në sytë e BE-së.

“Është inkurajuese, që me gjithë sugjerimet, vërejtjeve që raporti i progresit jep përsëri në kohëzgjatjen e procedurave, fakti se janë evidentuar disa ndryshme për mendimin tim kruciale, bëjmë të shpresojmë së në një të ardhme sistemi i drejtësisë do t’i arrijë nivelet e dëshirueshme, apo të pranueshme për EU”, ka thënë Beqiri.

Ajo thotë tutje se në raport është theksuar se vërehen progres në fazat e hetimit dhe procedimit në përgjithësi të rasteve e luftimit të krimit të organizuar dhe se shënimi i progresit në këtë fushë është një shenjë se po punohet në drejtimin e duhur.

“Po ashtu me theks të veçantë është cituar ngritja e nivelit në procesin e rekrutimin e gjyqtarëve të ri, kjo na bën të kuptojmë se po ndikohet pozitivisht në bërthamën e ndryshimeve në  drejtësisë, sepse kuadrat e kualifikuar dhe të gatshme të përballen me sfidat e sistemit drejtësisë, gjë që na ka munguar për një kohë të gjatë”, ka vijuar ajo.

Ajo shqetësuese e konsideron trajtimin e rasteve që lidhen me lirinë e shprehjes, që sipas saj, nuk është në drejtimin e duhur.

“Në këtë pikë shqetësuese mbetet që edhe më tutje trajtimi i rasteve që kanë të bëjnë apo lidhen me lirinë e shprehjes , ku në raport theksohet se nuk është në nivelet e kërkuara,  edhe në mendimin dhe nga  përvoja ime  në këtë pikë, mund të them se këto raste nuk  trajtohen me prioritetin që do të duhej të kenë”, ka theksuar Beqiri.

Si faktorë të vërejtjeve në raport për zgjatjen e procedurave gjyqësore, Beqiri thotë se është përgatitja profesionale e gjithë aktorëve (gjyqtarë, prokurorë, avokatë), si dhe mungesa e përfaqësimit nga profesionistë në rastet civile.

“Zgjatja e procedurave është një problem që po na përcjell në vazhdimësi, faktorët janë të shumtë, stafi administrativ, procedura të panevojshme apo të paktën që mund të thjeshtësohen veçanërisht me fushën e teknologjisë, e cila në sistemin e drejtësisë shfrytëzohet minimalisht. Në këtë drejtim vërejtje janë dhënë edhe në raport veçanërisht në stafin administrativ, që nga përvoja ime dhe atë që ballafaqohemi çdo ditë, ndaj të njëjtin mendim dhe në këtë pikë duket se jemi end larg standardeve të kërkuara”, u shpreh Beqiri.

Në anën tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se në bazë të këtij raporti, sistemi i drejtësisë ka ngecje në organizimin e administratës gjyqësore dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.

Eranda Zekaj, hulumtuese në IKD, thotë se duke u bazuar në gjetjet e këtij raporti, sistemi i drejtësisë gjendet në një fazë të hershme të zhvillimit.

“Përkundër përparimit të kufizuar në harmonizimin e legjislacionit kosovar me atë të BE-së dhe përmirësimeve në funksionimin e gjyqësorit, në hetimin dhe ndjekjen penale në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, sistemi i drejtësisë ka ngecje në organizimin e administratës gjyqësore dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor”, ka thënë Zekaj.

Ajo thotë se ky raport në mënyrë të qartë rithekson shqetësimet e ngritura nga Instituti i Kosovës për Drejtësi sa i përket mospërputhshmërisë së reformave në drejtësi me Opinionet e Komisionit të Venecias.

“Duhet theksuar progresin e kufizuar të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, si vlerësim adekuat i Raportit të Progresit për gjendjen aktualisht shqetësuese sa i përket numrit të ulët të hetimeve proaktive, vendimeve gjyqësore dhe konfiskimit përfundimtar të aseteve. Sinjale negative në përkushtimin e Kosovës për luftimin e korrupsionit, të hulumtuara nga Betimi për Drejtësi dhe të konfirmuara edhe nga Raporti i Progresit konsiderohet të jenë shuarja e Task Forcës dhe largimi i shefit të saj, duke përfshirë mosluftimin e korrupsionit përmes aplikimit të dënimeve plotësuese dhe politikën e butë ndëshkimore, që kanë qenë vazhdimisht kritikë në raportet e monitorimit të Institutit të Kosovës për Drejtësi. Për të shtuar kështu dhe ngecjet sipas vlerësimeve dhe rekomandimet e vazhdueshme të IKD-së lidhur me cenimi e pavarësisë nga ana e ekzekutivit dhe legjislativit në raport me sistemin gjyqësor, miratimi i një numri të ligjeve pa konsultime publike sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me rregulloren e qeverisë dhe procesin e emërimit të kryeprokurorit të shtetit”, vijon Zekaj.

Edhe ajo thekson se kohëzgjatja e procedurave gjyqësore vazhdon të mbetet një prej problemeve kryesore në fushën e drejtësisë në Kosovë.

Ajo rekomandon që të ndërtohen kapacitete të mjaftueshme, të ndërtohen strategji dhe praktika adekuate për menaxhimin e rasteve gjyqësore, si dhe të adresohen dukuri të kthimit të rasteve në rigjykim.

“Në këtë drejtim, është e rëndësishme ndërtimi i kapaciteteve të mjaftueshme; ndërtimi i strategjive dhe praktikave adekuate për menaxhimin e rasteve gjyqësore; adresimi i dukurisë së kthimit të rasteve në rigjykim; ndryshimit të shpeshtë të anëtarëve të trupit gjykues; bartja e lëndëve nga një gjyqtar në tjetrin. Në këtë drejtim, duhet intensifikuar zbatimi i rekomandimeve nga Raporti i Progresit, Udhëzuesit e Gjykatës Supreme në trajtimin e lëndëve në veçanti dhe rekomandimeve të shoqërisë civile drejtë efikasitetit dhe efektivitetit në drejtësi”, vijon Zekaj.

Zekaj ndër të tjera thotë se aplikimi i një politike të butë ndëshkimore lidhur me rastet e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka qenë një nga çështjet kryesore të theksuara nga IKD, sa i përket amnistimit të kryerësve të veprave penale.

Siç thotë ajo, në raportet e monitorimit IKD, në vazhdimësi ka ngritur shqetësime lidhur me shqiptimet e dënimeve të buta me burg apo dënimeve me kusht dhe gjobë, pasi vlerësohet se përçon mesazh negativ te qytetarët dhe publiku.

“Me dënime të buta të shqiptuara nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit, qoftë qëllimi i karakterit ndëshkimor qoftë ai preventiv. Ritheksimi i kësaj çështje tejet të rëndësishme nga Raporti i Progresit, veçse e bën më evidente krijimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, e cila ndikon në rritjen e dukurisë së mosluftimit të korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për këtë arsye, IKD ka rekomanduar gjykatat që përtej miratimit të udhëzuesit për politikë ndëshkimore, të angazhohen fuqishëm dhe në mënyrë proaktive për zbatimin e këtij udhëzuesi në praktikë”, thekson ajo.

Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, në kapitullin për drejtësinë thuhet se janë bërë përmirësime sa i përket rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërsa, sa i përket organizimit të administratës gjyqësore ky raport thekson se ka joefikasitet.

Në këtë raport po ashtu theksohet nevoja për të përforcuar lirinë e shprehjes.

Sipas këtij raporti, vendimi i qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe miratimi i Ligji për pagat nga Kuvendi, kanë ngritur shqetësime në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit.

Sa i përket Vetingut, Raporti i Progresit thekson se Kosova duhet të rikonsultohet me Komisionin e Venecias gjatë gjithë procesit të finalizimit të amendamenteve-kushtetuese.

“Në shtator 2022 , Qeveria i dorëzoi Kuvendit dosjen lidhur me kontrollet e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ngriti një komision ad hoc për të finalizuar ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionin përkatës për kontrollin e integritetit të pozicioneve të larta në sistemin e drejtësisë, në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias të qershorit 2022. Kosova duhet të sigurojë që Komisioni i Venecias të rikonsultohet gjatë gjithë procesit të finalizimit të projekt- amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës në lidhje me reformën në drejtësi”, thuhet në këtë raport.

Tutje, raporti përmend edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku ndër të tjera thuhet që udhëzimet e Komisionit të Venecias duhet të inkorporohen në Ligjin e ri.

Në këtë raport po ashtu theksohet nevoja për të përforcuar lirinë e shprehjes.

Sipas këtij raporti, vendimi i qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe miratimi i Ligji për pagat nga Kuvendi, kanë ngritur shqetësime në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit.

Sa i përket Vetingut, Raporti i Progresit thekson se Kosova duhet të rikonsultohet me Komisionin e Venecias gjatë gjithë procesit të finalizimit të amendamenteve-kushtetuese.

“Në shtator 2022, Qeveria i dorëzoi Kuvendit dosjen lidhur me kontrollet e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ngriti një komision ad hoc për t’i finalizuar ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionin përkatës për kontrollin e integritetit të pozicioneve të larta në sistemin e drejtësisë, në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias të qershorit 2022. Kosova duhet të sigurojë që Komisioni i Venecias të rikonsultohet gjatë gjithë procesit të finalizimit të projekt- amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës në lidhje me reformën në drejtësi”, thuhet në këtë raport.

Tutje, raporti përmend edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku ndër të tjera thuhet që udhëzimet e Komisionit të Venecias duhet të inkorporohen në Ligjin e ri.