Korrupsioni dhe krimi i organizuar fajtorët kryesor te ngecjes së Kosovës në integrimin në BE

Politizimi i administratës publike, korrupsioni, krimi i organizuar, si dhe sistemi gjyqësor jo efikas mbeten fajtorët kryesor te ngecjes së Kosovës në integrimin në BE.

Kështu u tha në publikimin e hulumtimit rajonal të D4D të quajtur “Reformat institucionale dhe legjitimiteti demokratik në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”.

Prezantimi i këtij hulumtimi për Kosovën është bërë nga Valëza Zogiani, hulumtuese e politikave në D4D.

 Ajo tha se Kosova konsiderohet vend kandidat potencial për t’u anëtarësuar në BE dhe se nga pavarësia rruga e integrimit në BE ka qenë një prioritet i pavarur dhe i ndërlidhur i politikës së jashtme për Kosovën.

Mirëpo, ajo tha se edhe pas 12 viteve pas pavarësisë synimet e Kosovës për integrime evropiane nuk janë shumë të prekshme.

Të dhënat për Malin e Zi i ka prezantuar Nina Kecojeviq, hulumtuese e politikave publike në CEMI, e cila tha se elitat politike në këtë vend serish kanë vendosur interesin privat dhe partiak para atij publik.

Ndërkaq, drejtori i departamentit të koordinimit të politikave të MSA-së në Ministrinë e Integrimeve Evropiane Artan Çollaku, tha se si administratë kanë arritur të plotësojnë kushtet e MSA-së brenda disa muajve, por që sipas tij reformat e ndërmarra nuk janë të qëndrueshme.

Në anën tjetër, drejtor ekzekutiv i Institutit Epik, Demush Shasha,  tha se Kosova ka bërë progres në rrugën e saj integruese këto 10 vitet e fundit.

Hulumtimi “Reformat institucionale dhe legjitimiteti demokratik në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”, mbështetet nga Fondi Evropian për Ballkanin.