Koronavirusi prek edhe Onkologjinë, dy mjekë dalin pozitiv

Në Klinikën e Onkologjisë dy mjekë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, ata janë në vetëizolim dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi i cili tha se përveç ngritjes së temperaturës dhe dhimbjes së muskujve kolegët e tij janë në rikuperim e sipër.

“Në dy ditët e fundit kemi dy personel të cilët janë testuar si pozitiv dhe janë vetëizoluar për gati 1 javë ditë, dhe shpresojmë që pjesa tjetër e stafit të jetë në gjendje të mirë, të mos infektohen dhe të vazhdojnë punën në trajtimin e pacientëve…Mirë është shumë kanë pasur një temperaturë të vogël pak të ngritur dhe një dhimbje të lehtë në muskuj dhe tash janë vetëm duke u rikuperuar”, tha ai.

Kurtishi po ashtu theksoi se burimi i infeksionit nuk dihet për shkak të kontakteve të shumta që mund t’i kenë pasur edhe nga jashtë.

“Jo ata mendojmë që ndoshta kontaktet që kanë pasur nga jashtë me familjarë ose me shoqëri kur kanë dal jashtë vendit, ka mundur ta marrin në ndonjë vend ndonjë infeksion ose kanë prekur diçka që ka qenë e kontaminuar”, theksoi Kurtishi.

Shefi i Klinikës së Onkologjisë thotë se një pjesë e stafit janë në pritje të testimit por disa po presin edhe rezultatet.

“Janë testuar pjesa tjetër jemi në testim e sipër dhe në këto dy-tri ditë i marrim vesh informatat se si është gjendja e pjesës tjetër të stafit”, deklaroi shefi I Klinikës së Onkologjisë.

Aktualisht në Kosovë aktiv me COVID-19 janë 1801 raste, numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2003 raste, ndërsa numri total i rasteve pozitive ka arritur shifrën 3886. Betejën me COVID e kanë humbur deri në këto momente 82 persona.