Koronavirusi, ka shkaktuar rënien më të madhe në tregjet financiare në Evropë

Vlera e aksioneve në tregjet evropiane ka rënë pothuajse në pikën më të ulët në shtatë vjetët e fundit të hënën pas shtrëngimit të masave kundër koronavirusit, që u morën nga disa shtete.

Italia madje e ndaloi edhe udhëtimin brenda vendit pasi numri i viktimave shkoi në mbi 5 mijë e 400 persona, shkruan “Reuters”.

Indeksi në Stoxx 600 shënoi rënie për 4.6 për qind në orën tetë të mëngjesit, ndërsa vlera negative u shënuan edhe në bursën gjermane GDAXI, atë spanjolle IBEX dhe bursën e Londrës, FTSE.

Përhapja pothuajse e pakontrollueshme e virusit Covid-19 ka bërë që shtetet të izolohen dhe ta zvogëlojnë ose ta ndërpresin aktivitetin ekonomik.

Kjo gjë e ka shkaktuar rënien më të madhe në tregjet financiare që nga kriza e madhe e vitit 2008.