Koret raciste, kryeministri bullgar kërkon largimin e presidentit të federatës

Koret dhe shfaqjet raciste në stadiumin “Vasil Levski” të Sofjes në takimin Bullgari-Angli që u mbyll 0-6, janë kthyer në çështje shtetërore në vendin ballkanik.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, i ka kërkuar dorëheqjen presidentit të Federatës Bullgare të Futbollit. Borisov ka kërcënuar se qeveria e tij do të ngrijë të gjitha marrëdhëniet me federatën, madje do të tërheqë çdo mbështetje financiare, derisa Borislav Mihaylov të tërhiqet.

Presidenti i Federatës Bullgare të Futbollit, i cili është gjithashtu anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s, për të “fshehur” sjelljet e turpshme të tifozëve vendas u shpreh se futbollistët e Anglisë, përfshirë Tammy Abraham ishin shfaqur “fyes” dhe nënçmues. Dhe jo vetëm kaq, ai e konsideroi të padrejtë akuzën se tifozët bullgarë kishin patur sjellje raciste në shkallët e stadiumit.

Deklaratat e çuditshme të Mihaylov u pasuan nga qëndrimi i padenjë edhe i trajnerit të Bullgarisë, Krasimir Balakov, i cili deklaroi pas ndeshjes se nuk kishte dëgjuar ndonjë kor racist. Përkundrazi, ai ngulmoi se “sjellja e papranueshme ishte nga tifozët e Anglisë”.

loading…