Koreja e Veriut refuzoi vaksinat “AstraZeneca”

Koreja e Veriut thuhet se ka refuzuar vaksinat anti-COVID “AstraZeneca” për shkak të shqetësimeve mbi efektet anësore të mundshme, sipas Instituti për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (INSS) të Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut ende nuk ka konfirmuar asnjë rast të vetëm me COVID-19, një pretendim i vënë në dyshim prej analistësh.

Javën e kaluar, lideri i saj, Kim Jong-un, ndëshkoi disa zyrtarë pasi iu referuan një incidenti të paspecifikuar në lidhje me Covid, sipas një raporti të medias shtetërore të Koresë së Veriut.

Por, Koreja e Veriut duket se nuk nxiton të sigurojë vaksina.

INSS në Seul, i cili është i lidhur me agjencinë e spiunimit të Koresë së Jugut, ka thënë se Pyongyang kishte refuzuar donacionet të vaksinës “AstraZeneca” nga frika e efekteve anësore.

Skema globale e shpërndarjes së vaksinave COVAX alokoi gati dy milionë vaksina “AstraZeneca” në Korenë e Veriut në shkurt, por dërgesat u vonuan pas konsultave të zgjatura.

INSS ka thënë se vendi gjithashtu refuzoi vaksinat kineze në besimin se ato nuk janë efektive.

Udhëheqja e Koresë së Veriut thuhet se favorizon vaksinat ruse.