Koreja e Jugut po mendon për çmimin e të qenit mik i Amerikës

Nga: Alan Beattie / The Financial Times

Herën e kaluar ishin Holanda dhe Japonia, tashti është Koreja e Jugut dhe së shpejti do të jetë i gjithë G7-shi i shteteve të pasura. Sigurisht se ju mban të alarmuar të qenit aleat i ShBA-së, në kohën kur gjeopolitika mbështetet kaq shumë në politikën tregtare. Është gjithashtu gjë e hidhur kur Uashingtoni pret që ju të merrni goditje ekonomike, për përfitimet gjeopolitike, kur jo gjithmonë [Uashingtoni] është i gatshëm ta bëjë vetë të njëjtën gjë.

Këtë javë, Financial Times zbuloi se ShBA-ja po i shtyn prodhuesit koreanë të gjysmëpërçuesve (kryesisht Samsung-un dhe SK Hynix-in) që të mos e plotësojnë asnjë boshllëk të furnizimit në Kinë, nëse – për arsye të sigurisë kombëtare – nga tregjet kineze largohet kompania amerikane Micron e çipave.

Për shkak të përdorimit të tyre në teknologjinë ushtarake – dhe në përgjithësi për ta kufizuar përparimin teknologjik të Kinës – gjysmëpërçuesit janë një nga pikat kryesore të presionit të fushatës së SHBA-së për sigurinë dhe për tregtinë. Këtë vit Uashingtoni ia doli të ushtrojë presion ndaj Holandës dhe ndaj Japonisë për t’u pajtuar për kontrollet më të ashpra për eksportet e çipave në Kinë.

Kërcënimi i nënkuptuar i Uashingtonit është që të lejojë skadimin e marrëveshjeve të garantuara për kompanitë koreane, pasi që në tetorin e kaluar ShBA-ja vendosi kontrolle të gjera mbi tregtinë e çipave dhe të pajisjeve të çipave për Kinën. Shtetet e Bashkuara, në teori, mund ta përdorin fuqitë e saj sanksionuese jashtë territorit, gjë që lehtësohet prej boshllëqeve për ta imponuar shtrëngimin e duhur jo vetëm ndaj kundërshtarëve, por edhe ndaj aleatëve.

Presidenti korean, Yoon Suk Yeol, e vizitoi këtë javë Shtëpinë e Bardhë. Ai është relativisht i ashpër ndaj Kinës, por gjithashtu duhet të marrë parasysh interesat më të gjera tregtare dhe diplomatike të Koresë.

Kina tashmë është partneri më i madh tregtar i Koresë, me ShBA-në që është e dyta. Koreja e krijoi një pozicion fitimprurës duke ofruar komponentë të vlerës së lartë, si dhe duke qenë treg i konsumit gjatë ndërtimit të rrjetit të furnizimit me elektronikë të “Fabrikës së Azisë” në vitet 1990 dhe 2000. Kjo u shoqërua me ngritjen e Kinës – në aspektin global – si komb i rëndësishëm tregtar. Me shkëputjen efektive të ShBA-së, Kina do të ketë nevojë për mbështetje nga shtetet e tjera të Azi-Paqësorit.

Kompanitë amerikane të mallrave të konsumit dhe në fund të fundit tregu amerikan ende mbeten pikat përfundimtare për shumë zinxhirë të furnizimit në Azi-Paqësor, duke e shtruar kështu pyetjen se sa është realisht i besueshëm kërcënimi për ta prishur sektorin e gjysmëpërçuesve të Kinës. Çipat DRam të prodhuar në Kinë, për shembull, e gjejnë rrugën e vet nëpërmjet kompanisë tajvaneze Foxconn deri te iPhone-ët e Apple-it të shitur në ShBA.

Duke supozuar se Seuli po beson se e ka një zgjedhje të vërtetë, Koreja duhet të përcaktohet se sa është e përgatitur t’i kapërcejë interesat e veta tregtare në favor të ruajtjes së marrëdhënieve me ShBA-në – me aleatin e saj të gjatë ushtarak dhe në politikën e jashtme. Dhe, këtu çështja mund të ndihmohet nëse ShBA-ja do t’jua hedh aleatëve të vet të supozuar ndonjë kockë simbolike të përfitimit.

Prodhuesit koreanë të makinave, Hyundai dhe Kia, janë ndër kompanitë e huaja që luftojnë për t’iu bashkuar rrethit të artë të pranueshëm për uljen e taksave amerikane për automjetet elektrike, kjo sipas Aktit të Reduktimit të Inflacionit [IRA] të Joe Bidenit. Pavarësisht se Hyundai e ndërtoi një fabrikë makinash në shtetin e Gjeorgjisë, ata deri tash kanë dështuar. Edhe nuk është fjala për profilin e lartë të subvencioneve për EV-të [makinat elektrike], pjesa tjetër e IRA-s do të shkaktojë më shumë shtrembërime në tregtinë globale. Qëllimi i Bidenit për punësime brenda vendit i ka mposhtur aleancat jashtë vendit.

Koreja gjithashtu mund të dyshojë se paralajmërimi i ShBA-së ka të bëjë më shumë me fitimet për Micron-in sesa për sigurinë kombëtare. Holanda u acarua kur ASML-ja, kompania e saj lidere në botë për prodhimin e makinerive të çipave, u kufizua të eksportonte pajisjet në Kinë në vitin 2019, për të kuptuar pastaj se kompanitë amerikane po e mbushnin boshllëkun me gjysmëpërçuesit që vetë i kishin prodhuar.

Siç thotë Hosuk Lee-Makiyama i grupit të ekspertëve të ECIPE-së, me bazë në Bruksel: “Pas IRA-s, ShBA-ja nuk ka aleatë komercialë. E ndajnë biznesin me politikën dhe më pas e pyesin veten se pse pjesa tjetër e botës nuk e bën të njëjtën gjë”.

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se për arsye të tregtisë, të pavarësisë diplomatike dhe të arsyeve thjeshtë praktike, rrethi i caktuar i aleatëve të ShBA-së nuk po e ndjek verbërisht Uashingtonin në secilën politikë konfrontuese dhe shtrënguese që zgjedh kundër Kinës – apo edhe kundër Rusisë, që është objektiv më i qartë ekonomik dhe politik.

Financial Times ka raportuar se ShBA-ja, duke qenë e shqetësuar për boshllëqet në sanksionet e saj ndaj Moskës, ka propozuar që ndalimi totali i eksporteve ndaj Rusisë të miratohet nga G7-shi, por pjesa tjetër e grupit po reziston. Mbretëria e Bashkuar, pavarësisht se vazhdimisht angazhohet për marrëdhëniet e saj anglosferike me ShBA-në, në mënyrë të ngjashme është distancuar nga strategjia e linjës së shkëputjes së ashpër të ShBA-së ndaj Kinës.

ShBA-ja nuk ia ka dalë të mbledh një grup mbështetësish të paepur mbi të cilët mund të varet besnikëria politike. Ajo po përballet me një spektër të kombeve pak a shumë miqësore, që herë pas here bëjnë kufizime rreth iniciativave të Uashingtonit që ata duan t’i mbështesin, vendime këto që në aspektet tregtare në mënyrë të pashmangshme e luajnë një rol. Kjo është një situatë e vështirë për një president që sapo e ka shpallur synimin e tij për t’u rizgjedhur mbi platformën e krijimit e vendeve të punës në vend e jo duke i dërguar ata jashtë vendit.

Përkthimi: Telegrafi.com