Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet gjatë natës në fundjavë, për të shmangur kështu pasojat me aksidente të rënda.
Por sërish, në radhët e shoferëve ka ende persona të pandërgjegjësuar, që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur, ose me shpejtësi tej normave të lejuara të qarkullimit rrugor. Në Selitë një 25-vjeçar u arrestua pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur ku nga kryerja e testit, rezultoi në masën e alkoolit 0.74 mg/l. Vetëm nga alkooli gjatë mbrëmjes së djeshme janë pezulluar 21 patenta.
“Alkooli në timon vret jetën. Përdor mjetet e transportit publik në rast se je drejtues mjeti dhe ke konsumuar alkool”, apelon policia Rrugore e Tiranës.
Ndërkohë, në autostradën Tiranë-Durrës u pezulluan 18 patenta për shpejtësi.
“Qarkullo me shpejtësi brenda limiteve te lejuara, respekto sinjalistikën rrugore qe te shkosh ne shtëpi i sigurt, e jo te shkosh pa patentën apo me keq akoma patenta pa ty”, thotë policia.
Në një rast, një 21-vjeçar nga Korça u kap duke lëvizur me 169 km/h. Nga sa ka biseduar me policinë, i riu është shprehur se donte të arrinte në kohë për të kapur “ahengun”.
“I papranueshme veprimit dhe justifikimi”, – thotë policia teksa jep mesazh që çdo qytetar të udhëtojë i sigurt duke respektuar rregullat për sigurinë e jetës së tij.







