Koordinatori Hoti shpërblen 246 nxënës fitues në Klinë

Në Komunën e Klinës, Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka dhuruar 246 sete librash nxënësve fitues të garës Nacionale të Kreativitetit Kulturor e Mendimit Kritik dhe asaj të Diturisë.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së këtyre shpërblimeve, Koordinatori Hoti foli për rëndësinë e librit dhe tha se nxënësit fitues e kanë mundësinë që të përfitojnë shumë nga ta. Prandaj, momentin e shpërndarjes së tyre ai e cilësoi të rëndësishëm për të dhe nxënësit.

“Ne sot kemi një kënaqësi të veçantë sepse jemi mbledhur këtu për shkak se ju nxënës të dashur na keni sjellur deri këtu me rezultatet dhe punën që e keni bërë. Ju jeni truri më i mirë, më i mençur dhe truri i ardhshëm i komunës së Klinës. Ju keni para jush këto libra të cilat nëse i lexoni, do të keni mundësi që të arrini gjërat më të mëdha në jetë. Vetëm përmes leximit ju do të arrini t’i realizoni të gjitha qëllimet në jetë. Mos harroni, nëse mendoni se si dëshironi që në jetë t’i arrini gjërat më të mira të mundshme, që ju realisht i doni e i keni në dorën tuaj,  atëherë përmes leximit ju mund të arrini ta shihni veten atje ku ju e ëndërroni”, tha Hoti.

Ndërsa, Drejtori Komunal i Arsimit, Enver Gashi, uroi nxënësit për suksesin dhe e falënderoi Koordinatorin Hoti për organizimin e garave. Ai tha se “sot është një ditë e veçantë për ne, për shkollat tona dhe për nxënësit tonë sepse ata kanë arritur rezultate shumë të mira. Një falënderim i veçantë shkon për Koordinatorin Hoti për organizimin e garave në mënyrë profesionale. Andaj, në emër të DKA të gjithë nxënësve ua uroj këtë shpërblim”.

Komuna e Klinës ka gjithsej 1609 në të gjitha nivelet e të dyja garave. Në garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik, në nivelin shkollor, komunal dhe republikan ka gjithsej 576 fitues, ndërsa në garën Nacionale të Diturisë ka 1033 fitues.