Koordinatori Hoti dhuron 2394 libra nxënësve fitues të garës në Prizren

Koordinatori Rexhep Hoti, sot një ceremoni madhështore në Prizren ka bërë ndarjen e shpërblimeve për 364 fitues të nivelit komunal të cilët morën sete librash në vlerë prej 50 eurosh. Këto shpërblime u ndanë në kuadër të zbatimit të Programit Nacional për Rininë ku morën pjesë 29 komuna në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 

“Askund tjetër përpos në Prizren nuk ka pasur më shumë çmime për nivelin e garave komunale, kemi gjithsej 364 nxënës. Kjo është puna dhe mundi juaj. Ju të gjithë mund të jeni në gjendje të ndryshme sociale, mirëpo dua t’ju them, si mendje e ardhshme e Republikës së Kosovës se raporti juaj me librin është magjia më vendimtare që e përcakton të ardhmen tuaj. Nëse ju mendoni se keni ndonjë dëshirë për të realizuar, ju njoftoj se të gjitha gjërat më të bukura të jetës që dëshironi t’i arrini qofshin ato në aspektin shpirtëror, kreativ, material do t’i keni të mundshme përmes librit. Ju e dini se ne kemi probleme me arsimin tash e një kohë të gjatë. Por, ju garantoj një gjë, nëse ju ndërtoni një raport të mirëfilltë me leximin do t’i tejkaloni të gjitha pengesat e mundshme”, tha Hoti në fjalimin e tij, transmeton lajmi.net.

Fjalë urimi për Koordinatorin Hoti dhe për nxënësit fitues pati edhe drejtoresha komunale e arsimit, Xhemile Vezgishi. “Para se të nisesha për të ardhur në këtë takim po mendoja për dhuratat që do t’i merrni. Nesër do të mund të merrni edhe dhurata tjera por nuk e di nëse do të kishte ndonjë dhuratë tjetër, që do të kishte vlerë më shumë sesa librat që do t’i merrni sot. Imagjinoni sa me fat jeni që bibliotekave tuaja familjare sot do t’i shtohen edhe tituj e emra të mëdhenj të letërsisë botërore.  Ju keni marr pjesë në aktivitete të ndryshme dhe keni dalur fitues sepse keni mbajtur libra në duar më gjatë se të tjerët, sepse keni mbajtur sytë mbi libër më shumë se të tjerët dhe nëse doni të bëheni gjithmonë fitues në jetë, mos i hiqni nga duart librat tuaja. Ne sot jemi krenar me ju, duam që të jemi edhe në të ardhmen”, tha Vezgishi.

Komuna e Prizrenit ka pasur 3241 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. 32 në nivelin republikan, 164 në nivelin komunal dhe 3045 fitues në nivelin shkollor të garës. Të gjithë këta nxënës janë shpërblyer nga KNKRS me shpërblime si bursa, kampe kreative, certifikata e libra.