Koordinatori Hoti: 2019-ta është viti i nxënësit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, priti sot në takim pune Kryesinë e Kolegjiumit të Drejtorëve Komunalë të Arsimit, ku u diskutua draft-plani i punës së Zyrës së Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.

Hoti fillimisht foli për Programin Nacional për Rininë dhe për hapat që janë marrë deri tani për realizimin e tij. Ai tha se shumë shpejt do të fillojë implementimi i programit në të gjitha shkollat e vendit.

“Programi Nacional për Rininë është i projektuar për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës prandaj ju garantoj se viti 2019 është viti i nxënësit. Programi është mbështetur nga komunat, me shumicën e të cilave tashmë kemi nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e tij. Ju si kolegjium jeni akterë shumë të rëndësishëm për bashkëpunim andaj, në këtë fazë kur jemi në prag të nisjes së garës, ju falënderoj për mbështetjen e dhënë”.

Drejtori i Kolegjiumit të DKA-ve, Besim Avdimetaj theksoi mbështetjen për Programin Nacional për Rininë.

“Ne që nga fillimi e kemi mirëpritur programin dhe po presim me padurim që të fillojë të implementohet dhe shpresojmë se aktivitetet do të zbatohen në të gjitha nivelet e parapara. Është një program i nevojshëm për nxënësit dhe besoj se do t’i motivojë ata për mësim”.

Programi Nacional për Rininë ka shtyllë kryesore garën që do të zhvillohet për të gjithë nxënësit dhe studentët në fushën e diturisë, sportit, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik.