Kontrollerët e trafikut ajror, paralajmërojnë anulimin e krejt fluturimeve

Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, ditën e sotme ka mbajtur grevë një orëshe për të kundërshtuar përfshirjen e Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror në ligjin për pagat.

Ditën e nesërme kanë paralajmëruar se do të mbajnë grevë 4 orë, për të vazhduar ditën e premte me grevë nga ora 8:00-16:00, derisa të shtunën greva do të jetë 12 orëshe. Nga e hëna do vazhdojnë më grevë 24 orëshe.

“Ne kemi vendos për me vazhdu me grevë, greva nesër do të jetë 4 orëshe, çdo ditë do të fillojë në 8 e mëngjësit, në kohë lokale, nesër është 4 orëshe, të premtën është 8 orëshe, të shtunën është 12 orëshe, të dielen pushim për shkak të Pavarësisë së Kosovës, të hënën vazhdohet me grevë 24 orëshe”, tha Artan Hasani për Ballkani.info

Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve Ajror, Artan Hasani, ka thënë se greva e tyre do të sjellë probleme të mëdha në trafikun ajror dhe ka bërë thirrje që ligji të mos dekretohet nga presidenti.

“Është një formë e presionit e fundit që ne mundemi t’ia bëjmë presidentit, që është dera e fundit ku ne mundemi me u drejtu, përmes grevës ne po mendojmë që me sensibilizu presidentin që ky ligj duhet me u përmirësu”, tha Hasani. /Ballkani.info