Kontrata Telekom-Z Mobile valide vetëm edhe nesër, punëtoret nisin grevën

Punëtorët e Telekomit të Kosovës sot kanë hyrë në grevë të përgjithshme me qëllim të parandalimit të lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, teksa ata po paralajmërojnë edhe padi ndaj kësaj kompanie.

E kontrata në mes të Z-Mobile dhe Telekomit të Kosovë ka validitet deri nesër më datën 30 korrik 2019, ndërsa ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për shkëputjen e kësaj kontrate, përveç një deklarimi publik që udhëheqësit e Telekomit e bënë ditë më parë.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj për KosovaPress, ka theksuar se punëtorët e Telekom-it në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë lidhje e një kontrate të re me Z-Mobile. Varësisht nga hapat që do i ndërmarrë menaxhmenti i Telekomit, Balaj paralajmëron edhe ashpërsim të veprimeve të tyre sindikale.

Për dëmet e shkaktuara Telekomit, kryesindikalisti Lamih Balaj thotë se do ngrisin padi ndaj Z-Mobile, madje nëse është nevoja thotë se do padisin edhe menaxhmentin e Telekomit.

Derisa beson se vendimi për 25 milionët nuk do të ekzekutohet, Balaj kërkon nga Qeveria dhe sistemi i drejtësisë që të reagojë sa më parë edhe ta anulojë vendimin e arbitrazhit.

Kujtojmë që kryeshefi i Telekomit të Kosovës më 15 korrik ka njoftuar se ka pranuar propozim përmbarimin nga kreditori ”Dardafon.net LL.C.” Ndërsa, Telekomi i Kosovës në cilësinë e debitorit sipas këtij njoftimi i obligohet që kreditorit t’i jap njëzet e pesë milionë euro, vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat.

loading…