“Kontrata me Z-Mobile e dëmtoi me 210 milionë euro Telekomin”

Duke folur për gjendjen në Telekom dhe Komisionin Hetimor, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka pasur të gjetura të cilat kanë dëshmuar për shumë abuzime.

Sipas saj në Komisionin Hetimor për Telekomin ka pasur shumë kontradikta në deklaratat e të dëshmitarëve të ftuar.

“Kemi kuptuar shumë abuzime, shumë kontradikta në deklarata në kryesitë e bordeve dhe menaxhmentet. Ajo është dëshmi nën betim, dhe nuk nënkupton më shpifje por është vepër penale. Në fillim të kësaj jave kuptuam nga një Sindikatë e punëtorëve dhe nga zoti Bedri Istrefi që u tha atyre se nuk do të vazhdojë kontrata”, ka thënë ajo.

Ajo në emisionin “Interaktiv” të KTV-së tha se janë angazhuar që ta gjejnë letrën që Telekomi ia kishte nisur Z-Mobile-it.

“Janë 210 milionë euro dëme që i janë shkaktuar Telekomit nga kontrata me Z-Mobile. Sikur të kishte institucionet të drejtësisë do të ndërmerrnin masa. Blerim Devolli po trajtohet si viktimë”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se nëse komisioni arrin të përfundojë mandatin, do të nxjerrin të gjetura të rëndësishme.

Sipas saj, janë duke punuar me një raport të veçantë me të cilin po krahasohen edhe të gjeturat.

Lidhur me vizitën në Turqi ajo ka thënë se qëllimi ka qenë të takojnë shoqata të shqiptarëve që jetojnë atje.

“Nuk e di pse janë shqetësuar kaq shumë pushtetarët për këtë vizitë. Kjo ka qenë ndër vizitat më të mira që kemi pasur”, ka shtuar ajo.

Ajo thotë se udhëtimin në Turqi e ka organizuar një organizatë turke e cila merret me të drejta të njeriut.

Haxhiu ka thënë se gjatë vizitës në Turqi janë takuar me Partinë Popullore e cila ka marrëdhënie të mira me Spanjën dhe Kurti ka kërkuar që ata të ndihmojnë që Spanja ta njeh Kosovën.