Zijadin Hoxha

Kontradikta mes datave kur ka shkuar në Kukës, Hoxha thotë se gabimisht ka deklaruar për ZPS-në

Dëshmitari Zijadin Hoxha, gjatë dëshmisë të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, tha se ka deklaruar gabimisht më herët kur kishte thënë se në maj të vitit 1999 ka arritur në Kukës.

“Nuk e di as vetë. Faktikisht, gabim. Gabimisht kam deklaru”, tha dëshmitari Hoxha, duke u përgjigjur në kundërpyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Përpara kësaj, prokurori Cezary Michalczuk i prezantoi Hoxhës dy klipe nga intervistat e tij për ZPS-në, ku dëgjohej të ketë thënë se ai kishte arritur në Kukës më 22 apo 23 maj 1999.

“Dy herë që iu ka intervistuar prokurori qartazi keni thënë që më 22 apo 23 maj të 1999”, tha prokurori Michalczuk.

Pas kësaj, dëshmitari tha se nuk është problemi tek transkripta, por që ai kishte gabuar me deklaratën.

“Klipi i parë nuk nuk u dëgju mirë. Klipin e dytë e dëgjova mirë, por ka qenë gabimisht, unë kam gabu dhe jo transkripti, unë kam gabu. Faktikisht të gjitha aktivitetet që i kam pas në uzinën e Kukësit brenda një jave nuk kam pas mundësi me i arritë të gjitha ato punë… unë për më shumë se 1 muj e gjysmë kam qëndru në atë uzinë. Është data gabim që e kam dhënë”, tha Hoxha.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij dje, dëshmitari Hoxha ka thënë se ai kishte arritur në Kukës për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 22 apo 23 prill 1999.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka mbaruar mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit, Jean-Louis Gilissen. Ndërsa, përfaqësuesit e ZPS-së kanë parashikuar që ta marrin në pyetje Hoxhën sot gjatë tërë ditës.

Sipas prokurorit Michalczuk, kundërpyetjet për dëshmitarin do të mundohen t’i përfundojnë brenda orarit të sotëm të seancës, por pa përjashtuar mundësinë që të vazhdohet edhe në seancën e nesërme.