Gjykata Themelore

“Kontrabandimi” i rektores në Universitetin e Mitrovicës

E dënuara me vepër penale të korrupsionit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë tashmë është në krye të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Me katër vota pro, Nurtene Deva është përzgjedhur rektore e universitetit më 22 mars.

E ky konkurs sikurse edhe shumë procese tjera të udhëhequra nga ky Universitet prapë nuk kaloi pa shkelje të ligjit dhe procedurave. Si duket anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij universiteti kanë probleme serioze për të zbatuar drejt ligjin.

Zgjedhja e Devës në krye të Universitetit u bë përkundër se nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit për aplikim.

Edhe pse Deva nuk kishte dorëzuar dokumentet sipas konkursit të shpallur dhe kritereve të përcaktuara me nenin 9 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, KD injoroi ato dhe rekomandimin e Komisionit Profesional dhe në mënyrë të kundërligjshme “kontrabandoi” Devën, duke i dhënë mundësi të intervistohet dhe votohet për Rektore e këtij Universiteti.

Në dokumentacionet e kërkuara në konkursin për rektor thuhej se kandidatët duhet të dërgojnë dëshminë se nuk kanë kryer vepër penale.

Por, këtë kërkesë e injoroi Nurtene Deva që në vend të dëshmisë së gjykatës ajo dërgoi një certifikatë përmes së cilës tregonte se nuk ka dosje aktive penale në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës.

Kjo përkundër se dënimi ndaj saj ishte shqiptuar me gjobë dhe për rrjedhojë nuk prodhonte pasoja juridike, në këtë rast pamundësimin e garës për rektor. Sidoqoftë, dëshmia e Gjykatëse nuk u dërgua.

Pavarësisht vlerësimit të Komisionit Profesional të Senatit, Devës fillimisht iu mundësua pjesëmarrja në garë, e më pas mori edhe votat e nevojshme për të marrë pozitën e rektores.

Po ky nuk është i vetmi proces me probleme që është ballafaquar ky Universitet.

UMIB vetëm në dy vitet e fundit është përballur me shumë procese të emërimeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Drejtues, emërime të reja të anëtarëve të Këshillit Drejtues, dorëheqje të Këshillit Drejtues, dhe prapë emërime të Këshillit Drejtues. Me fjalë tjera anëtarët e Këshillit Drejtues të UMIB të emëruar nga MASHT janë zëvendësuar tre herë.

Gjithë kjo në tendencë për zgjedhjen e rektores së re, raporton betimiperdrejtesi.

BONUS VIDEO| Ditë e bukur pranvere në Parkun e Gërmisë