KFOR

Kontingjenti i 40-të i ushtarëve kroat niset drejt Kosovës

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq, ka përcjellë të martën kontingjentin e 40-të të ushtarëve kroat (HRVCON) në operacionin për mbështetjen e paqes në Kosovë, në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR), transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, në dritën e ngritjes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrezikut të përshkallëzimit.

Disa shtete evropiane kanë rritur prezencën në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash dhe Rumania ka dislokuar rreth 130 ushtarë në kuadër të KFOR-it pas përshkallëzimit të situatës në veri, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu ka marrë vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia ka rritur numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë janë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri pritet të rritet për të paktën 100.