Pjesëtarët letonezë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), kanë zëvendësuar të enjten kontigjentin turk të KFOR-it në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – transmeton “Kosovo Online”, portal në gjuhën serbe me qendër në veriun e Kosovës.

Kontigjenti turk i KFOR-it ishte vendosur në Zveçan pas protestave të dhunëshme të serbëve më 29 maj, ku mbi 90 paqeruajtës të KFOR-it – kryesisht italianë dhe hungarezë – kanë mbetur të lënduar nga plagët e marra gjatë ndërhyrjes për t’i shpërndarë protestuesit.

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë kishte nisur në Kosovë një batalion të këmbësorisë për të mbështetur KFOR-in pas tensioneve në këtë pjesë, pasuar edhe nga vendimi i NATO-s për dislokimin e 700 trupave të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë, shkruan AP.

Tensionet në veri nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër 0komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Ndërkaq, situata tashmë është e qetë pas reduktimit të 50 për qind të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale atje, ndërsa dialogu Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve pritet të rifillojë më 14 shtator në Bruksel.