Kontestohet zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit| Prokurori Fazliu paraqiti kërkesë në Kushtetuese për vlerësim të aktgjykimeve të gjykatave

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka njoftuar Zyrën e Presidentes së Kosovës se ka marrë kërkesë për kontestimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, që ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilltari për media i Presidentes Osmani, Bekim Kupina ka bërë të ditur për Telegrafin, se Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës nëpërmjet një letre është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese se në këtë Gjykatë është parashtruar një kërkesë individuale nga njëri nga kundërkandidatët në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit.

“Në këtë kërkesë kontestohet Aktgjykimi i 23 dhjetorit 2022, i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i cili ndërlidhet me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Kupina.

Këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese e ka dorëzuar prokurori Shqipdon Fazliu. Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar avokati i tij, Flakron Sylejmani.

Sylejmani ka thënë se i janë cënuar të drejtat kushtetuese prokurorit Fazliu, përkatësisht e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta në mjet juridik etj

“Ju konfirmoj se brenda afatit të paraparë kemi paraqitur kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme, nr.114/2022, aktvendimit të Gjykatës së Apelit aa.nr.650/2022 dhe Aktvendimit  të Gjykatës Themelore ne Prishtinë a.nr.1875/22.  Me këto Aktgjykime dhe Aktvendime të Gjykatave të rregullat i janë cenuar të drejtat kushtetuese z. Shqipdon Fazliu, përkatësisht  e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta në mjet juridik etj”, ka deklaruar avokati Sylejmani.

Ai më tej ka shtuar se gjykatat e rregullta kanë bërë shkelje të dispozitave të procedurës, edhe atë duke zbatuar gabimisht nenin 27, paragrafi 1 të ligjit për konfliktin administrativ që përcakton se “padia paraqitet brenda tridhjetë (30) ditësh, që nga data e dorëzimit të aktit administrativ përfundimtar palës”

“Në fakt ne kemi vlerësuar se në ketë rast është dashur të gjej zbatim neni 28, paragrafi 2 i këtij ligji, i cili përcakton se  “Nëse padia nuk i është dorëzuar gjykatës, por organit tjetër jo kompetent, ndërsa i arrin gjykatës pas skadimit të afatit për paraqitjen e padisë, do të konsiderohet se është paraqitur me kohë, nëse paraqitja e saj në këtë organ ka qenë si pasojë e mos dijës apo e gabimit të hapur të paraqitësit”.

Duke interpretuar gabimisht dispozitën e Nenit 28, paragrafi 2, Gjykata ka bërë shkeljen e të drejtave materiale, konkretisht nenin 4 të po këtij ligji që përcakton se:

“Në konfliktin administrativ gjykata kompetente vendos në bazë të kushtetutës dhe ligjeve”, lidhur me nenin 31, paragrafi 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës se:

Kjo normë është në përputhje me garantimin e të drejtave kushtetuese dhe të drejtave të përcaktuara në konventat ndërkombëtare, që të mos ndëshkohet/n qytetari/ët për shkak të një gabimi të hapur dhe t’i pamundësohet e drejta e gjykimit – e drejtë dhe drejta kjo themelore e njeriut”, tha Sylejmani.

Avokati i prokurorit Shqipdon Fazliu më tej ka thënë se kanë vlerësuar se “gabimi i hapur nuk ka rrjedh nga mosdija apo lëshimi i afatit nga ne por nga natyra e konsoliduar e kësaj praktike (precedenti) nga Gjykata Kushtetuese, prandaj konsiderojmë se ka qenë e afatshme dhe e ushtruar brenda afatit ligjore”.

Sylejmani ka thënë se presin nga Gjykata Kushtetuese që të vendos në favore të kërkesës të parashtruar nga ana e tyre.

KPK në mbledhjen e 214-të, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo zgjedhje e Kelmendit ishte bërë pas përfundimit të mandatit kushtetues shtatë (7) vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015.

Më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi.

Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada Britanike, Ambasada Gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.

Presidentja Osmani deri më tani nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të prokurorit Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa ushtrues i kësaj detyre është Besim Kelmendi.