Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim kontestin mes tri kompanive Made Group Constructions, Arkos dhe Madekos ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) të Komunës së Prishtinës, lidhur me dështimin e projektit të përbashkët afaristo-banesor në lagjen Lakrishtë.

Në një njoftim për media të premten, Supremja tha se i ka aprovuar revizionet e paraqitura nga tri kompanitë kundër aktgjykimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale të datës 5 qershor, 2026.

Ndërmarrja Publike Banesore është e paditur në këtë rast, ndërsa palë ndërhyrëse është Komuna e Prishtinës.

Sipas njoftimit, Kolegji i Gjykatës Supreme, në një seancë të mbajtur më 13 tetor, ka prishur dy aktgjykimet e fundit të Gjykatës Komerciale lidhur me kontestin mes palëve.

Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale kishte obliguar NPB-në që t’u paguajë 32.5 milionë euro në emër të fitimit të humbur tri kompanive private: Made Kos, Arkos dhe Madekos. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë e kësaj gjykate.

Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili ishte iniciuar nga NPB-ja dhe ishte planifikuar të ndërtohej në partneritet publiko-privat, ishte anuluar nga vetë NPB-ja.

Pas anulimit të kontratës njëanshëm, kompanitë i ishin drejtuar gjykatës.