Konsumatorët i deponuan 699 ankesa këtë vit, 160 vetëm për ngritjen e çmimeve

Ngritja e çmimeve të produkteve të konsumit që ndodhën në javën e dytë të muajit mars, ka bërë që shumë qytetarë të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës.

Në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë vetëm për ngritje të çmimeve nga janari deri në mesin e muajt mars janë adresuar 160 ankesa, thuhet në një përgjigje të kësaj ministrie për Demokracia.com

Ankesa ka pasur po ashtu edhe për mospërfillje të gradacionit, mospërputhje të çmimit raft-arkë, shërbime jo cilësore, moskthim i mallit, etj.

Nga janari i këtij viti në total janë bërë 669 ankesa, 491 janë në proces, 146 të zgjidhura dhe 32 të refuzuara.

207 ankesa gjatë këtij viti janë bërë kryesisht për kategorinë “Tregti”, që i trajton Inspektorati i Tregut, thuhet në një përgjigje të ministrisë për Demokracia.com.

“Mospërfillje e garancisë 38 ankesa; moskthim i mallit 22 ankesa; mungesë flamuri në raft 5 ankesa; mashtrim i konsumatorit 37 ankesa; reklamë mashtruese 7 ankesa; mospërputhje e çmimeve 77 ankesa; shërbim jocilësor 13 ankesa; praktikë mashtruese 4 ankesa; blerje online 26 ankesa dhe produkt i dyshimtë 1 ankesë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ankesa nga konsumatorët ka pasur edhe për shërbime telefonike dhe të internetit. Gjithsej nga janari deri në mesin e këtij muaji janë 39 ankesa për kategorinë ARKEP-Telekomunikacion.

“Mospërfillje e kontratës 5 ankesa; shërbim jocilësor 20 ankesa; faturim i padrejtë 13 ankesa dhe praktikë mashtruese 1 ankesë”.

Qytetarët janë ankuar edhe për probleme me energji elektrike. 11 ankesa kanë qenë për kategorinë Energjia Elektrike, ku 7 nga to për shërbim jocilësore, 3 për faturim të padrejtë dhe 1 ankesë për mospërfillje të kontratës.

Edhe për shërbime financiare ka pasur ankesa, që janë drejtuar tek Banka Qendrore e Kosovës.

9 ankesa kanë qenë për shërbime jocilësore dhe një ankesë për mashtrim konsumatori.

Për probleme ushqimore ka pasur gjithsej 32 ankesa që janë dërguar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit.

“Mungesë higjiene 8 ankesa; afat i skaduar 19 ankesa; produkt i dyshimtë 4 ankesa dhe konsumim i duhanit 1 ankesë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Demokracia.com.

Nga konsumatorët janë bërë 32 ankesa edhe për Administratën Tatimore të Kosovës, ku që të gjitha janë për kuponë fiskal.

Për shkelje të privatësisë janë gjithsej dy ankesa që Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit i ka dërguar tek Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Gjatë kësaj periudhe ka qenë vetëm një ankesë për Ministrinë e Infrastrukturës, gjegjësisht për biletat.

5 ankesa janë drejtuar edhe për Komunën e Prishtinës për parkingje.

Nga 699 ankesa, 34 janë refuzuar për mungesë të dëshmive.