Lajmi i fundit

Konstituohet Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore, pas shtatë përpjekjeve

Është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Kjo u arrit pasi konstituimi i këtij komisioni, kishte dështuar shtatë herë radhazi, për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marr pjesë në mbledhje, raporton EO.

Fillimisht, pati një përplasje ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi me deputetët e opozitës.

Kjo filloi kur deputeti i VV-së kërkoi deklaratat e dhëna nga deputetët e opozitës lidhur me Rezervat Shtetërore.

Sipas Thaçit, opozita ka bërë politikë dhe ka kërkuar arrestim të ministres Rozeta Hajdari.

“Ti Doarsë nuk je me dhanë moral politik këtu. Dihet çka ke bo me vullnetin e qytetarëve. Dëgjimi është virtyt nuk e ke, mos ndërhyj”, tha ai.

“Ti fole, a po ndalesh tash. Nuk mundesh me ndërhy. Rrugës ndryshoi qëndrimi dhe dolën te marrëveshjet ndërkombëtare”, tha deputetja Doarsa Kica-Xhelili.

Aty u përfshi edhe deputetja e tjetër e LDK-së, Valentina Bunjaku.

“Pse po më bon nervoz, këqyre punën tanë. Pse po hyn në personale”.

Pas kësaj kishte reagim edhe nga kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

“Nuk qëndron. Lëshoje deklaratën. Nuk është vullnet, por është koncesus që është arritur që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare, e VV-ja të vijë në Komision”.