Heroit Xhemajli, kandidat për zyrtar korrektues në konkursin e fundit të Shërbimit Korrektues ka dorëzuar kallëzim penal në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Shërbimit Korrektues të Kosovës me pretendimet se i është bërë e padrejtë përgjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve dhe pas përfundimit të procesit. Gazeta Insajderi ka siguruar ekskluzivisht dosjen e plotë të denoncimit.

Xhemajli ka qenë në listën e pritjes i pari. Një ndër 10 kandidatët e pranuar në pozitën e zyrtarit korrektues për Qendrën e Paraburgimit Prishtinë, ka lënë këtë pozitë dhe nuk ka shkuar. Kandidati që ka qenë në radhë për t’u pranuar, Heroit Xhemajli nuk është ftuar nga SHKK. Këtë, Xhemajli e quan padrejtësi ku i është cenuar parimi i meritokracisë. Ai ka dorëzuar që 8 ditë kallëzim penal në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke u thirrur në emër të drejtësisë.

Që nga muaji prill kur ishin shpallur rezultatet nga konkursi për zyrtarë në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Gazeta Insajderi ka përcjellur në vazhdimësi parregullsitë që janë raportuar nga ky konkurs.

Shumë kandidatë u ankuan e ofruan prova për parregullësi, të cilat i solli ekskluzivisht Insajderi, por asgjë nuk u ndërmor. Këto ankesa shkuan edhe në zyrën e ministres Albulena Haxhiu e cila u distancua duke thënë se nuk ka kompetenca të ndërhyrë.

Heroit Xhemajli ka vendosur që nëpërmjet rrugëve ligjore t’i shkoj deri në fund të drejtës së tij që i takon.

Në një intervistë për Gazetën Insajderi ai rrëfen se si është trajtuar i pa barabartë nga komisoni edhe pse sipas tij kishte kualifikimet e kërkuara. Ndaj tyre ka ngritur kallëzim penal.

Xhemajli pretendon se ai është lënë anash për shkak se nuk ka pasur të njohshëm e nuk ka dhënë para për tu pranuar.

Pas anulimit të një kandidati, Xhemajli ka qenë i pari në listë për të zëvendësuar atë. Ai nuk është ftuar nga ShKK. Ai thotë se kjo i është bërë për t’u hakmarrë ndaj tij që i ka raportuar parregullsitë.

“Unë kam qenë i 11 në listë në radhë. 10 nga ta janë pranuar. Kam marr vesh që një nga kandidatët e pranuar është larguar dhe kam prirt që pasi është liruar vendi do më thërrasin. Edhe pse ka filluar trajnimi I kandidatëve për 4 ditë unë nuk kam humb asgjë. Sipas normave ligjore e njerëzore nuk kam humb asgjë. Vetëm se nuk kam pasur dikë të fort në shërbim janë betu mos mem marr”, deklarohet ai.

Çfarë përmban kallëzimi penal?

Në kallëzimin penal që ka bërë Heroit Xhemajli, kërkon nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që të hetoj këtë rast për të cilin konsideron që i është bërë e padrejtë.

“Me ane te ketij Kallzimi ftoj Prokurorine Themelore ne Prishtine , qe te hetoj kete rast sepse konsideroj se me eshte bere shume e padrejte ku eshte cenuar parimi i meritokracise sepse kam qen kandidati me i kualifikuar pothuajse se te gjith kandidatet konkurent ne kete konkurs , kam perfunduar fakultetin e Drejtesise ne Universitetin e Evropes Juglindore , pastaj pas perfundimit te studimeve deri diplomike kam perfunduar edhe Magjistraturen ku kam mbrotjur temen e Magjistratures me titull permbarimi dhe procedura e permbarimit ne Republiken e Kosoves nga viti 2001 e ketej ku kam marr titullin Magjister i Shkencave Juridike , ne konkurs kam prezantuar edhe certifikaten ku e kam perfunduar praktiken Gjyqsore ne Gjykaten Themelore te Ferizajit , punen nje vjeqare ne avokati, certifikaten e trajnimit ECDL=IT , Certifikaten per Trajnime te shkresave civile dhe penale , kerkoj nga Prokuroria te hetoj Komisionin vleresues dhe te bej krahasimin e testit tim me shkrim , biografine dhe kualifikimet e mija me kandidatet e pranuar , jam shume i sigurt dhe i bindur qe me eshte bere e padrejte sepse une as nuk kam para qe te jap per vend pune por as nuk kam askend te fort ne pushtet” deklaron ai në kallëzimin penal.