Konjufca: Themelet e lirisë dhe shtetit tonë qëndrojnë mbi sakrificën e dëshmorëve

Sot, me rastin e 5 Majit  Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, vizitoi disa vatra të rezistencës çlirimtare në Kosovë dhe nderoi dëshmorët e martirët e rënë për lirinë e vendit tonë.

Kështu, ditën e sotme kryekuvendari Konjufca e filloi me nderime në Prekaz, te varri i Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, për të vazhduar më pas në Kompleksin Memorial në Morinë.

Pasi vendosi lule dhe nderoi të rënët, kryetari i Kuvendit vazhdoi për në Gllogjan, për të bërë homazhe në Kompleksin “Dëshmorët e Kombit”.

Nderimin për heronjtë, kryekuvendari Konjufca e përmbylli në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, duke vendosur lule pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti.

“Sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit qëndron e shenjtë në themelet e lirisë. Pa luftën e tyre për liri, ne nuk do ta kishim shtetin tonë e as pavarësinë. Është obligim institucional t’i nderojmë e t’i kujtojmë të rënët për liri. Ata kanë rënë në të kaluarën por nuk janë pjesë e së shkuarës, por janë shumë aktualë”, theksoi me këtë rast kryekuvendari Konjufca.​