Konjufca shkarkon nga pozita e konsullit djalin e hallës së deputetit të VV-së

Vendimi i ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për shkarkimin e 14 konsujve nëpër ambasada të ndryshme të Kosovës, ka prekur edhe familjarë të bashkëpartiakëve të tij.

Në mesin e tyre është edhe Kadri Balaj, djali i hallës së deputetit të VV-së, Salih Zybës.

Ai shërbeu si konsull në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë/Mali i Zi.

Ndryshe, Balaj ishte kandidat për kryetar të Suharekës nga Nisma e Fatmir Limajt. Në zgjedhjet lokale të 2017-ës, Balaj kishte kundërkandidat dajën e tij, Sali Zybën e VV-së.

Vlen të theksohet se për këto shkarkime, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës u mbështetë në nenin 93, (paragrafi 4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe sipas neneve 10,11 të Ligjit nr 06/L-113 për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjensive të Pavarura, neni 53 (paragrafi 1) dhe neni 55 (paragrafi 1 dhe 2) të ligjit Nr 05/L-03 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 23 (paragrafi 2), të ligjit Nr 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe nenin 8 (paragrafi 1,4 ) të Rregullores 02/201, për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit.