Konjufca: Pozita po e mbron Thaçin sepse nga ai varet jeta e këtij koalicioni

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetevendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se pozita po përpiqet ta mbrojë Hashim Thaçin, pasi nga ai varet edhe jetëgjatësia e koalicionit qeverisës.

Konjufca ka thënë se opozita nuk ka asgjë kundër Thaçit, dhe se të njejtin qëndrim do ta kishte ndaj secilit president i cili do të hapte tema të tilla për kufijtë dhe territorin e Republikës së Kosovës.

“Mazhoranca po e mbron Thaçin. Ne nuk kemi asgjë me të, por pavarësisht se cili do të ishte personi, ne do të reagonim njejtë. Por këta po lidhen me emrin, sepse nga ai varet edhe jetëgjatësia e koalicionit”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se nuk mund të pajtohen për hartimin e një platforme së bashku me pozitën, për arsye se nuk e kanë legjitimitetin për t’u marrë më këto tema.

‘Ne nuk mund të shkojmë me një platformë se qysh po don mazhoranca. Kjo legjislaturë nuk i ka kushtet elementare për t’u marrë me këto çështje”, ka shtuar ai.

Sipas Konjufcës aktualisht vetëm duhet marrë masa që t’i ndalohet Thaçit të diskutojë për territorin e Republikës së Kosovës në Bruksel.

“Sitauta në të cilën ndodhemi tash kërkon vetëm masa preventive. Që Kuvendi i Kosovës me i ndalu Thacit me u marr me qat temë”, ka përfunduar Konjuca.