U. d. i presidentit të Kosovës dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka vlerësuar se përmbyllja me sukses e procesit të konstituimit të institucioneve të reja do të bëhet kur të zgjidhet edhe presidentja e Kosovës.
Konjufca e ka thënë këtë gjatë takimit që pati sot me shefin e ri të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.
“U.d. Presidenti i Kosovës, Glauk Konjufca në takim me shefin e Misionit të OSBE-së, Michael Davenport ka pranuar urimet për detyrën e re. Shefi i OSBE-së ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën mëtej në procesin e demokratizimit. Z.Davnport, njëkohësisht ka përgëzuar z.Konjufca për standardin të cilin e ka vendosur Kosova me rregullsinë e procesit të fundit zgjedhor, duke inkurajuar reformimin e sistemit zgjedhor. Ndërkaq u.d. Presidenti Konjufca, gjithashtu ka uruar z.Davenport për detyrën dhe duke falënderuar OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme, ka theksuar rëndësinë e konstituimit të institucioneve të reja sa më parë. u.d. Presidenti Konjufca potencoi se përmbyllja me sukses e këtij procesi do të jetë kur konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, do të pasohet edhe me zgjedhjen e presidentes së vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.







