Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas vrasjes së policit dhe plagosjen e një tjetri në fshatin Banjska të Leposaviqit të dielën në mëngjes. Polici i vrarë ishte me gradën e rreshterit ndërsa i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.

Konjufca nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, e ka dënuar sulmin të cilin e ka quajtur sulm terrrorist dhe të drejtuar nga strukturat kriminale nga Serbia.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

E dënoj ashpër sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia nga i cili një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.

Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë.

Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.

Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë.

Autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq i ftoj institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë.