“Më mirë diçka se sa hiç asgjë”. Ky është arsyetimi me të cilin Lëvizja Vetëvendosje e përkrah vendimin e Qeverisë për masën për taksë prej 100 për qind.

“Kjo natyrisht nuk është një masë të cilën lëvizja Vetëvendosje e dëshiron dhe kërkon, por është më mirë se asgjë. Po të ishte LVV-ja në pushtet do ta zbatonte një reciprocitet të plotë në të gjitha fushat me Serbinë”, ka thënë Glauk Konjufca, në Interaktiv të KTV-së, teksa ka shtuar se madje kjo nuk është ndonjë “shpikje e ujit të nxehtë”, por është praktikë që e bëjnë të gjitha vendet në botë.

Sipas tij, kjo masë do të duhej të zgjerohet edhe në të gjitha fushat e jetës.

“Ajo që bëjnë qeveritë në botë është që e studiojnë mirë para se ta marrin një vendim, e masin se çfarë efektesh do të ketë, dhe më nuk tërhiqen prej saj. Për sa kohë që Qeveria e ka dhënë premtimin e saj që taksa nuk duhet të hiqet deri në njohjen e Kosovës, minimumi që duhet pritur nga kjo Qeveri është që të mos tërhiqet nga kjo taksë deri në arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Konjufca.

“Ekipi ndihmues” ia rehabilitoi Thaçit legjitimitetin e munguar

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Ekipi të cilin i prinë Limaj e Ahmeti, ia ka rehabilitu legjitimitetin e munguar presidentit Hashim Thaçit.

“Ndaj një projekti që ai e shpiku, e gjithë skena politike doli kundër. Për shkak të kërcënimit apo shantazhit që mund t’ia ketë bërë partnerëve të koalicionit, kur dihet se Thaçi i ka 23 deputetë në koalicionin qeverisës, këta u munduan që ta gjejnë një modalitet”, ka thënë Konjufca, përcjell Koha.net.

“Modalitetin që e gjetën ishte se thoshin se do t’ia marrin nga dora Thaçit drejtimin e dialogut, duke ia marrë temën që ai e proklamoi që prej fillimit verës, e që është lëvizja e kufijve”, ka thënë më tej Konjufca.

Ajo që u pa mandej sipas Konjufcës, e sidomos pas letrës së Federica Mogherinit, që drejton dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nxorën të vërtetën.

“Ajo që doli nga letra e Mogherinit, është ashtu siç e kemi shpjeguar ne, që dialogu drejtohet nga Mogherni, dhe në letrën e saj e falënderoi Kosovën që e formoi një ekip ndihmues për Hashim Thaçin, e që është ajo që ne në fakt i frikësoheshim”, ka thënë Konjufca. “Aty thuhet se presidentët goxha shumë janë marrë vesh, dhe shumë afër është një marrëveshje. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse i bie që ata janë marrë vesh për temën e shkëmbimit të territoreve. Gjatë muajve, unë jam bindur se mes Thaçit dhe Vuçiqit ka një marrëveshje”, ka thënë më tej ai.