Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i ka komentuar deklaratat e presidentit të vendit Hashim Thaçi i cili para disa ditësh tha se lideri i VV-së, Albin Kurti nuk i beson Konjufcës.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Konjufca ka thënë se kjo është një taktikë e një diktatori që vepron me idenë “përçajë e sundo”
“ Kjo është taktika ‘përçajë e sundo’. Kjo është ajo qysh i qaset Hashim Thaçi kundërshtarëve politik. Taktikë e përçarjes”, tha ai.
Konjufca është shprehur se marrëdhëniet e tij me Kurtin janë në nivelin më të mirë të mundshëm.
“Të shkëlqyeshme më të mira se kurrë. Bile nuk mundesh me thënë se po bëhen më të mira, sepse është maksimumi i marrëdhënieve të mira. Hashim Thaçit i pengon kjo sepse mendon që VV e dëmton përmes përçarjes dhe shpfije të tilla i ka në këtë projekt”, shtoi Konjufca.
Sipas tij Thaçi që 15 vjet tenton ta përçaj këtë parti.
“Ai është përpjekur qe 15 vjet me me përça Vetëvendosjen. Kurrë nuk ia ka dalë. Unë dhe Albini si kemi marrëdhëniet të një kryeministri me një ministër, i kemi më të ngushta”, u shpreh ai.







